Rriten shkëmbimet tregtare Shqipëri–Kosovë, kërkohen më shumë lehtësira

Rriten shkëmbimet tregtare Shqipëri–Kosovë, kërkohen më shumë lehtësira

Në pikën e përbashkët kufitare të Morinit shohim gjithnjë e më shumë prezencë të mjeteve që transportojnë mallra nga Shqipëria drejt Kosovës, por edhe Kosova drejt Shqipërisë.

Vitet e fundit është shënuar një progres për sa i përket volumit tregtar mes dy shteteve.

Shumë drejtues mjetesh e bëjnë këtë rrugë çdo ditë. Ka nga ata që e bëjnë një herë në javë, por disa edhe dy herë në ditë.

Për drejtuesit e mjeteve, volumi tregtar nuk vihet re, pasi e kanë kthyer në përditshmëri.

Në shumë raste, procedurat doganore kryhen shpejt, por në raste jo të pakta e në veçanti gjatë fundjavave, drejtuesit e mjeteve kalojnë orë të tëra në kufi, ndërsa kolonat e gjata të mjeteve hyjnë në thellësi të territorit tonë.

Më shqetësuese për ta mbetet procesi i skanimit dhe peshoret.

Në pikën kufitare të Morinit, procedura e doganës kryhet vetëm për mallrat me origjinë shqiptare apo të kompanive distributore, ndërsa për import-eksportet me shtetet e tjera, Kosova e kryen si procedurë në doganën e saj në portin e Durrësit, e cila funksionon prej dy vitesh.

Pavarësisht të gjithave sipas informacioneve të marra në Drejtorinë e Doganave, vit pas viti po shënohet rritje e konsiderueshme e shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë e Kosovës, ku sasinë më të madhe në volumin tregtar e zënë eksportet nga Shqipëria drejt Kosovës. /atsh/

Share This