
Qeveria miraton nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së
Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim një nismë për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se në këtë marrëveshje do të angazhohen për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në këtë fushë.
“Në mbledhjen e sotme i kemi 23 propozim vendime. Në mesin e tyre me rëndësi të veçantë do të jetë shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendit tonë dhe ShBA-së. Në këtë marrëveshje do të angazhohemi për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me planifikim të mbrojtjes, qëndrueshmërisë strategjike dhe ngritjes së kapaciteteve strategjike ushtarake”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se marrëveshja do të jetë e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes.
“Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike për bashkëpunim me shtetet aleate e në koordinim me ShBA-në ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë. Me këtë marrëveshje Kosova dhe ShBA angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike, si dhe ngritje e kapaciteteve strategjike ushtarake”.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se qëllimi i marrëveshjes është për avancim të bashkëpunimit në këtë fushë dhe tha se nisma është në përputhje me qëllimet e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Në koordinim të plotë me ShBA-në ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të dyja palët të angazhohemi me avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes”.
“Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, kërcënimet për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë, gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka thënë Maqedonci.