
Sekuestrohen lëndë narkotike dhe arrestohet i dyshuari për trafikim
Policia e Kosovës, njofton se ka Antidroga e Policisë së Kosovës ka realizuar operacionin `Befasia`, me ç’rast se ka sekuestruar lëndë narkotike dhe ka arrestuar i dyshuari për trafikim të substancave narkotike.
“Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve– Mitrovicë Jug, në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë – Mitrovicë Jug, kanë realizuar një kontroll të planifikuar në një shtëpi dhe objektet përcjellëse në lagjen Koloni në qytetin e Mitrovicës. Ky kontroll u realizua si pjesë e planit taktik të quajtur ‘Befasia’, në kuadër të luftës kundër krimeve të organizuara dhe trafikimit të substancave narkotike”, njofton Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të realizuar në këtë operacion policor, janë sekuestruar: 24 qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokaine, me peshë totale 7.5 gram, 6 qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 68.7 gram, 4 tableta Ekstazi, me peshë totale 2.2 gram, qese të zbrazëta, që shërbejnë për paketimin e substancave narkotike në sasi të vogla dhe 1 telefon mobil që dyshohet të jetë përdorur për aktivitetet e paligjshme.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë një ekip i Krimteknikës Rajonale, i cili ka kryer fotografimin, evidentimin, matjen dhe sekuestrimin e të gjitha provave materiale. Hetuesit e DHTN-së, pas realizimit të veprimeve operative, kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës’, njofton Policia e Kosovës, raporton rtk.
Në bazë të urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, i dyshuari ka një dënim të formës së prerë prej 2 vitesh burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Lidhur me këtë rast, është informuar Prokurori Kujdestar pranë Prokurorisë Themelore të Mitrovicës – Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që i dyshuari pas intervistimit të dërgohet në vuajtje të dënimit. Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – Mitrovicë Jug”, njofton Policia e Kosovës.
Pas intervistimit, i dyshuari është dorëzuar në Stacionin Policor Mitrovica Jug, ku është dërguar për të vuajtur dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.
Ky aksion është një tjetër hap në luftën e vazhdueshme kundër krimeve të organizuara dhe trafikut të narkotikëve, dhe dëshmon angazhimin e institucioneve të rendit dhe sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale.
Policia e Kosovës mbetet e angazhuar të vazhdoj punën për të zbuluar dhe parandaluar çdo aktivitet kriminal që kërcënon sigurinë dhe rendin publikë, në veçanti aktivitetet e tilla kriminale që rrezikojnë shëndetin e rinisë sonë.