
Van Dijk: Një tjetër natë magjike në ‘Anfield’
Kapiteni i Liverpool-it, Virgil van Dijk, ka folur në prag të përballjes së Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain.
Liverpool dhe PSG do të ballafaqohen sonte në ndeshjen kthyese të 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve.
Kampionët në fuqi të Francës do të udhëtojnë drejt ‘Anfield’ pas një ndeshjeje të parë zhgënjyese, ku pavarësisht dominimit të pjesës më të madhe të lojës, u mposhtën 1-0 nga një gol i vonë i Harvey Elliott.
Netët evropiane në ‘Anfield’ janë gjithmonë të veçanta dhe kapiteni holandez thekson dëshirën për të shtuar një tjetër kujtim të paharrueshëm në historinë e klubit, ndërsa përgatiten për një tjetër sfidë të madhe.
“Unë personalisht kam shumë kujtime të jashtëzakonshme në ‘Anfield’ kur bëhet fjalë për Ligën e Kampionëve”, tha Van Dijk.
“Më kujtohen fitoret ndaj Manchester City dhe Romës në muajt e mi të parë me klubin. Më kujtohet Napoli dhe Barcelona në sezonin kur u shpallëm kampionë të Evropës, dhe më vonë edhe ndeshjet kundër Benfica, Villarreal, Bayer Leverkusen dhe Real Madrid”.
“Të gjitha ato net kishin diçka të përbashkët. Përballeshim me skuadra nga më të mirat në botë, duke ditur se një gabim i vetëm mund të na kushtonte gjithçka. Duhej të kombinonim cilësinë me intensitetin, të qëndronim të qetë në momentet e duhura dhe të shtonim ritmin kur duhej”, ka theksuar mbrojtësi holandez.