
Van Persie nuk dorëzohet: Inter mund të përmbyset
Pavarësisht disavantazhit prej dy golave para ndeshjes së kthimit, trajneri i Feyenoord, Robin van Persie, beson se skuadra e tij ende mund të luftojë për një kualifikim historik ndaj Interit.
Skuadra holandeze është mposhtur 2-0 në shtëpi nga skuadra italiane javën e kaluar, por megjithatë, Van Persie ruan optimizmin dhe beson se gjithçka mbetet e hapur.
“E mira e sportit është se gjithmonë ka shpresë, edhe kur njerëzit mendojnë se shanset janë të vogla”, ka thënë ai në konferencën për media të hënën.
Ish-sulmuesi holandez, i cili ka vetëm dy ndeshje në drejtimin e Feyenoord, e ka pranuar se ekipi i tij është dominuar në përballjen e parë, por ka theksuar se rikthimi nuk është i pamundur.
“Është e qartë se duam të befasojmë të gjithë. Tani për tani, pritshmëritë janë që nuk kemi më shanse, por unë nuk e shoh kështu. Kemi një mundësi për të fituar kundër një Inter shumë të fortë, por duhet të japim maksimumin”, është shprehur ai.
Van Persie u ka bërë thirrje lojtarëve të tij të besojnë në përmbysjen e rezultatit, duke kujtuar se në futboll kanë ndodhur surpriza edhe më të mëdha.
“Mesazhi më i rëndësishëm që po u jap lojtarëve është: besoni në veten tuaj, besoni tek njëri-tjetri. Kam parë përmbysje edhe më të çmendura ndër vite”, ka shtuar ai.