
Të hënën refuzoi të shkojë në prokurori për të dëshmuar, zyra e Kurtit del me reagim tjetër: Pse ky insistim i panevojshëm?
Zyra e Kryeministrit sërish ka reaguar lidhur me çështjen e dëshmisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale, të cilën ka refuzuar ta japë të hënën siç e kishte urdhëruar gjykata.
Zyra e Kurtit ka thënë se kjo çështje është “politizuar” dhe ka përsëritur se Kurti është i gatshëm të japë dëshminë, por me kushtin që ajo të merret në zyrën e tij.
“Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?”, është thënë në reagim e zyrës së kryeministrit.
Reagimi i plotë:
Reagim i Zyrës së Kryeministrit në lidhje me debatin publik mbi dëshminë e kërkuar nga kryeministri për çështjen e rezervave shtetërore
Të dashur qytetarë,
Këto ditë, është ngritur një debat publik mbi një çështje që nuk duhet të ishte politizuar: dhënia e dëshmisë së Kryeministrit në lidhje me rezervat shtetërore. Gjatë kësaj kohe jemi përballur me një valë dezinformatash dhe përpjekjesh për të sajuar një perceptim të rremë mbi këtë proces. Prandaj, është e rëndësishme të sqarojmë faktet dhe të mbrojmë parimet e një shoqërie të drejtë e demokratike.
Mos reagimi ynë i deritanishëm, nuk ka qenë mungesë vëmendjeje, por respekt për procesin ligjor që duhet të zhvillohet pa ndërhyrje të jashtme. Sidoqoftë, është bërë e qartë se po përballemi me një orvatje të hapur për të manipuluar dhe hutuar opinionin publik.
Duam të jemi të qartë: Kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar të dëshmojë. Përkundrazi, ka ofruar bashkëpunim të plotë për të ndihmuar drejtësinë të kryejë punën e saj me integritet.
Gatishmëria dhe vullneti për të dhënë dëshmi është ofruar në disa raste dhe në kohë të ndryshme në Zyrën e Kryeministrit. Në të gjitha demokracitë e zhvilluara, përfshirë ShBA-në dhe Francën, është praktikë standarde që zyrtarët e lartë të shtetit të dëshmojnë nga zyrat e tyre, për të ruajtur diskrecionin dhe për të shmangur politizimin e proceseve ligjore. I njëjti parim është zbatuar edhe në Kosovë, së paku në rastin e dy ish-kryeministrave dhe madje te zëvendëskryeministri aktual! Atëherë, pse në këtë rast po bëhet përjashtim? Pse ky insistim i panevojshëm për një formalitet procedural që nuk ka ndikim në thelbin e çështjes?
Kryeministri vazhdon të jetë i gatshëm të dëshmoj – sa më shpejtë, aq më mirë, për qëllime të drejtësisë e respektimit të institucioneve. Qeveria jonë ka sjellë reforma të mëdha, veçanërisht në transparencën qeveritare dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat janë njohur dhe vlerësuar nga organizata të pavarura ndërkombëtare si Transparency International. Ne mbështesim fuqishëm pavarësinë e sistemit gjyqësor, por refuzojmë përdorimin e tij si një mjet për përfitime politike.
Asnjëherë në Kosovën e pasluftës, nuk kishte më shumë përpjekje për të reformuar drejtësinë, nisur nga pakoja e ligjeve kundër korrupsionit e deri te Byroja shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Me të gjitha përpjekjet për të ndalur reformimin e shumë kërkuar të Këshillit Prokurorial të Kosovës e për të zhdukur korporatizmin në këtë sistem, reforma do bëhet dhe jetësohet.
Nuk është dhe nuk mund të jetë detyrë e cilitdo, e sidomos dhomave tregtare e ekonomike të japin opinione ligjore apo të ndikojnë në proceset gjyqësore. Bizneset dhe organizatat ekonomike kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Qeveria jonë ka qenë një aleate e fortë e punës së tyre duke ofruar stabilitet institucional e politik dhe duke nxitur rritjen ekonomike, e cila ka çuar në dyfishimin e investimeve te huaja direkte gjatë katër viteve të fundit.
Ata që kërkojnë ta keqpërdorin këtë çështje për qëllime politike duhet të gjejnë mënyra të ndershme për të sfiduar qeverinë – përmes ideve dhe politikave që i shërbejnë qytetarëve.
Zyra e Kryeministrit mbetet e hapur dhe bashkëpunuese me çdo institucion që vepron në përputhje me parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë.