
Bayern, shanse për Wirtz
Bayern i Mynihut po punon në heshtje dhe ka shanse reale për të marrë Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen që në verën e këtij viti, pa pritur 2026-tën. Klubi bavarez është i gatshëm t’i hyjë operacionit financiar për blerjen e 21-vjeçarit, i cili ka etiketë çmimi të lartë mbi vete, por në Mynih besojnë se mund ta marrin lojtarin në 140 milion euro, që është vlera e tij në treg.
Prej javësh, dy anëtarët me më tepër influencë në bordin drejtues të Bayernit, Uli Hënes e Karl Heinz Rummenigge, kanë përmendur Wirtz si lojtarin më të dëshiruar për të transferuar në Mynih dhe Hënes ka mbajtur vazhdimisht kontakte me familjen e tij.
Megjithatë, bindja e bordit drejtues të Bayernit, zakonisht ngurrues për blerje të shtrenjta, është vetëm arritja e parë dhe më e lehta. Për të realizuar transferimin duhet bindur Wirtz, i cili ndihet mjaft mirë në Leverkusen, e sidomos nën drejtimin e Xabi Alonsos, i cili nuk ka dhënë sinjale largimi tani afër.
Më pas, misioni më i vështirë është të bindë klubin e aspirinave, jo thjesht për çmimin e lartë të lojtarit, por sidomos për fiksimin për të mos i shitur lojtarë Bayernit, duke preferuar më mirë të shesë me çmime më të ulta në klube të tjera.
Kampionët në fuqi të Gjermanisë dhe kryesuesit aktualë të Bundesligës do të ndeshen në Mynih të mërkurën në Champions League dhe afari Wirtz e ka bërë edhe më të nxehtë atmosferën para ndeshjes.