
Numërohen mbi 77 për qind e votave me postë, prin LVV-ja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka bërë të ditur se pas numërimit të mbi 77 për qind të votave të dërguara me postë, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje prin me 52.15 për qind, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29.2 për qind.
Sipas rezultateve të publikuara online nga autoritetet zgjedhore, në vendin e tretë gjendet Partia Demokratike e Kosovës me 9.7 për qind. Ndërsa, vendin e katërt e zë koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 3.06 për qind.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se ka aprovuar më shumë se 63.000 pako me fletëvotime.
Për votimet e 9 shkurtit, përveç votimit me postë, qytetarët jashtë vendit për herë të parë kanë mundur të votojnë edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike.
Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike ka përfunduar dhe sipas KQZ-së, LVV-ja mori më së shumti vota, përkatësisht 12.261 vota apo 80.71 për qind.