
Sekuestrohet sasi e konsiderueshme e cigareve në aeroportin ‘Adem Jashari’
Një sasi e konsiderueshme e cigareve është sekuestruar nga Dogana e Kosovës në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, të dielën në mesditë.
Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila ka theksuar se sekuestrimi ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional, sigurimit të informacioneve nga zyrtarë doganorë dhe në bashkëpunim me stafin e X-Rey të aeroportit.
“Në shkuarje për në Londër është ndaluar një femër e cila kishte në posedim një çantë krahu, të cilën dyshohej se e kishte të mbushur me pako të cigareve. E njëjta është kontrolluar nga ana e zyrtarëve të X-Rey në prezencë të zyrtarëve kompetentë, ku në bazë të aparatit të kontrollit është detektuar se në çantën e krahut ka një sasi të konsiderueshme të pakove me cigare”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se udhëtarja shtetase e Shqipërisë, përpos çantës së krahut që kishte me vete, në check-in në aeroport, kishte dorëzuar edhe një valixhe në të cilën dyshohej se posedonte po ashtu pako me cigare.
“Udhëtarja e ndalur është dërguar në zyrën e doganës për të vazhduar me procedurat e mëtejme, ku pas kontrollit edhe të valixhes së dorëzuar në check-in, e njëjta ka rezultuar se posedon pako me cigare. Pas kontrollit janë sekuestruar gjithsej 104 boksa (shteka) cigare “Malboro e kaltër” dhe 20 boksa “Karelia Slims” me banderola të shtetit të Shqipërisë, të cilat ishin të padeklaruara në Doganën e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e policisë, raporton rtk.
Pakot e cigareve janë sekuestruar dhe rasti i është dorëzuar Doganës së Kosovës për veprime të mëtejme sipas procedurave të parapara ligjore.