“Karta e artë”, Donald Trump shpall skemën e vizave amerikane për pasanikët e huaj

“Karta e artë”, Donald Trump shpall skemën e vizave amerikane për pasanikët e huaj

Presidenti i SHBA-se Donald Trump njoftoi dje në mbrëmje planet për një program të ri vizash që do të jepte të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një tarifë prej 5 milionë dollarësh.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se e ashtuquajtura “karta e artë” do të tërhiqte njerëz të pasur që mund të kontribuonin në ekonomi.

“Njerëz të pasur do të vijnë në vendin tonë duke blerë këtë kartë”, tha Trump.

“Ata do të jenë të pasur dhe do të jenë të suksesshëm, do të shpenzojnë shumë para dhe do të paguajnë shumë taksa dhe do të punësojnë shumë njerëz:, shtoi ai.

Kur u pyet nëse mund të aplikonin edhe oligarkët rusë, Trump u përgjigj: “Është e mundur”, pasi oligarkët mund të jenë në mesin e të interesuarve.

“Unë mendoj se ata mund të përballojnë tarifën prej 5 milionë dollarësh”, shtoi ai.

Trump tha se programi do të niste për rreth dy javë dhe synonte të zëvendësonte vizën ekzistuese të investitorit EB-5 duke ofruar gjithashtu një rrugë drejt shtetësisë.

Programi EB-5 ofron karta jeshile për shtetasit e huaj që angazhohen për të investuar në bizneset amerikane.

“Është si një kartë jeshile, por në një nivel më të lartë sofistikimi, është një rrugë drejt shtetësisë për njerëzit, dhe në thelb njerëzit me pasuri ose njerëz me talent të madh, që do të thotë se kompanitë do të paguajnë që njerëzit të hyjnë dhe të kenë status afatgjatë në vend”, tha Trump.

“Të ardhurat nga “karta e artë” pritet të ndihmojnë në uljen e borxhit kombëtar”, tha presidenti amerikan.

Trump tha se shpresonte të tërhiqte ekspertë dhe investitorë të IT-së, duke shtuar se kompani si “Apple” mund ta përdorin programin për të sjellë talentet më të mira në vend. /atsh/

Share This