
Arsenali mendoi se ai ishte “Henry i ri”, por nuk e arriti potencialin
Arsenali ka “jetuar” prej vitesh me lojtarët fantastikë që ka afruar nga Franca, ku në mesin e shumë prej tyre ishte edhe Yaya Sanogo.
Nuk është sekret që Arsene Wengerit i pëlqente të sillte talente nga vendi i tij, por jo të gjithë lojtarët që solli arritën të tregonin shkëlqimin e pritur.
Një nga emrat që gjeneroi shpresa, por më pas shkaktoi zhgënjim, është sulmuesi Yaya Sanogo. Mediat angleze e quajtën “Thierry Henryn i ri”, por realiteti doli të ishte shumë më i vështirë.
Sanogo nuk arriti të realizonte potencialin e tij dhe karriera e tij pësoi një kolaps të plotë.
Më shumë se 11 vjet kanë kaluar që kur Wenger e bleu atë nga Auxerre, duke e quajtur: “Një nënshkrim të madh për të ardhmen. Ai ka treguar potencial në paraqitjet e tij për Auxerre dhe ekipin francez të të rinjve. Jam i lumtur që do të bashkohet me ne dhe ka një të ardhme të madhe përpara”, ishte deklaruar trajneri francez në atë kohë.
Megjithatë, pas një goli në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve, karriera e Sanogos mori një drejtim të papritur.
Ai shënoi vetëm një gol në 20 ndeshje për Arsenalin dhe u dërgua vazhdimisht me huazime. Fatkeqësisht, askund nuk arriti të gjejë formën e duhur.
Sot, në moshën 32-vjeçare, Sanogo është një lojtar pa klub. Dy stacionet e tij të fundit ishin në Armeni me Urartu dhe në ligën e dytë kineze me Qingdao Red Lions.
Një fund i trishtë për një karrierë që dikur premtonte aq shumë.