
Hoti i dërgon letër Kajas Kallas për hapjen e arkivave të Serbisë
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar një letër drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të hapë arkivat shtetërore dhe të bashkëpunojë në zbardhjen e fatit të 1,591 qytetarëve të zhdukur gjatë luftës së vitit 1998-1999.
Në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, theksoi rëndësinë e shpalosjes së së vërtetës për fatin e 1,591 qytetarëve të Kosovës që ende mbeten të zhdukur.
Ai njoftoi se Qeveria e Kosovës ka dërguar një letër drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas, ku kërkohet hapja e arkivave shtetërore të Serbisë, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve.
Hoti ka thënë se pavarësisht se u miratua Deklarata për Personat e Zhdukur më 2 maj të vitit 2023, Serbia vazhdon t’i bllokojë përmbushjet e detyrimeve të saja dhe po i shkel obligimet që i ka sipas të drejtës ndërkombëtare. Hoti në letër ka shkruar se Bashkimi Evropian ka rol kyç për të siguruar që përpjekjet të mos dështojnë.