
Presidenti italian: Normalizimi Kosovë – Serbi hap drejt integrimit në BE
Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, i ka dërguar një mesazh urimi presidentes Vjosa Osmani, duke shprehur përkushtimin e Italisë për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen për stabilitetin dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Vendet tona janë të lidhura nga një miqësi e fortë, e cila është forcuar progresivisht me kalimin e viteve, falë edhe kontributit të vendosur që Italia ofron për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës”, thuhet në urimin e Mattarellas, raporton rtk.
Tutje presidenti italian theksoi se Roma zyrtare e konsideron thelbësore arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Ky hap, i cili kërkon një angazhim të ripërtërirë dhe konstruktiv nga të dyja palët, përbën një aspekt me rëndësi parësore për arritjen e objektivit strategjik të integrimit të plotë në Bashkimin Evropian”, thuhet tutje në mesazhin e presidentit italian.