Steinmeier: Gjermania dëshiron që Kosova të bëhet anëtare e BE-së

Steinmeier: Gjermania dëshiron që Kosova të bëhet anëtare e BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani  ka pranuar një urim tjetër për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Në mesazh, presidenti Steinmeier ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se shteti i tij në shkurt 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet në urimin e presidentit Steinmeier, të cilin e ka bërë publik Presidenca e Kosovës.

Më tej, Steinmeier ka potencuar se në çështjet e politikës së jashtme, Kosova është pozicionuar qartësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë, në shkelje të të drejtës ndërkombëtare.

“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, shkruan tutje në mesazhin e presidentit gjerman, raporton rtk.

Steinmeier më tej ka thënë se në rrugën drejt këtij qëllimi hapat përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mbeten të një rëndësie thelbësore.

“Angazhimi i Kosovës në dialogun e udhëhequr nga BE dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin, të cilin Kosova e ka marrë përsipër si detyrim, vazhdojnë të jenë urgjente. Le të vijojmë të bashkëpunojmë si partnerë, që të mund të arrijmë së bashku progres të rëndësishëm dhe konkret për njerëzit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në letrën e Steinmeier.

Share This