Dallimet mes urimeve të presidentëve amerikanë Trump dhe Biden për Pavarësinë e Kosovës

Dallimet mes urimeve të presidentëve amerikanë Trump dhe Biden për Pavarësinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 16.02.2025, ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald  Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Vitin e kaluar e para e shtetit kishte pranuar urime për nder të Ditës së Pavarësisë edhe nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden.

Megjithatë, mesazhet e dërguara nga presidentët amerikanë dallojnë në disa pika.

Derisa ish-presidenti Biden kishte thënë se “SHBA-ja fuqishëm e mbështet një Kosovë multietnike”,  Trump nuk e përmend fare termin ‘shtet multietnik’, por thotë se “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku”.

Mesazhi i tyre dallon edhe sa i përket çështjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Vitin e kaluar Biden ka shkruar se SHBA-ja vazhdon ta përkrahë dialogun e ndërmjetësuar nga BE për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë – të cilën e quante si “një hap të rëndësishëm drejt njohjes së ndërsjellë”.

Biden inkurajonte lidershipin e Kosovës që t’i përmbushnin të gjitha obligimet, përfshirë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të arritura përmes këtij procesi.

Ndërsa, presidenti Trump në urimin e tij nuk e përmend procesin e dialogut dhe as obligimet e palëve në këtë proces.

Trump ka thënë se “do të punojnë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt”.

Letra e presidentit Trump po ashtu, është më shumë e fokusuar në promovimin e lidhjes ekonomike mes dy vendeve.

“Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona”- thuhet në letrën e Trumpit.

Në mesazhet e tyre, edhe Biden edhe Trump kanë theksuar rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës.

Ndërsa, të dy po ashtu kanë theksuar se vlërësojnë mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës në luftën kundër Rusisë.

Letra e plotë e Trump më 2025:

E nderuara zonja Presidente,

Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për ju dhe popullin kosovar ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si komb sovran është shënuar me qëndrueshmëri dhe vendosmëri.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet midis njerëzve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato lidhje, duke përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë prosperitet më të madh për të dy kombet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, pasi ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.

Shtetet e Bashkuara mezi presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin e ardhshëm. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej me komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet shumë.

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një kohë për të nderuar arritjet e kaluara, si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritshme dhe lidhjeve më të thella ndërmjet kombeve tona.

Dërgoj urimet e mia më të mira për popullin e Kosovës në këtë ditë feste.

Letra e plotë e Biden më 2024:

E nderuara zonja Presidente:

Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës teksa nderoni ditën tuaj të pavarësisë më 17 shkurt.

Share This