Ende s`ka pagesa nga Plani i Rritjes, KE: Nuk janë përmbushur kriteret

Ende s`ka pagesa nga Plani i Rritjes, KE: Nuk janë përmbushur kriteret

Kosova pritet të përfitojë nga Bashkimi Evropian 880 milionë euro nga Plani i Rritjes, por deri tash ende nuk ka filluar realizimi i pagesave të para.

Formimi i institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe qasja konstruktive në dialog janë kushte që duhet plotësuar për t’i thithur këto mjete nga Komisioni Evropian.

Pagesat e para nga Plani Evropian i Rritjes akoma nuk janë realizuar për shkak të mospërmbushjes së kritereve nga ana e vendeve të rajonit. Ndonëse zyrtarët evropian kishin paralajmëruar se këstet e para do të realizohen deri në fund të viti 2024 tani duket se kjo nuk do të ndodhë së paku deri në gjysmën e parë të këtij viti. Nga Komisioni Evropian u tha se ky institucion momentalisht është duke finalizuar hapat në procedurë që do të mundësojnë pagesën e para-financimit sa më parë që të jetë e mundur gjatë këtij viti.

“Pagesat e para të rregullta pritet që të realizohen në tremujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, pasi të përmbushen kriteret përkatëse”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Komisioni Evropian.

Në të vërtetë vendet e rajonit, përfituese të mjeteve duhet të nënshkruajnë marrëveshje për kredi me Bashkimin Evropian. Këto marrëveshje kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare, e rrjedhimisht ato duhet të ratifikohen në Kuvend. Në rastin e Kosovës, marrë parasysh procesin zgjedhor, duhet të pritet konstituimi i Parlamentit dhe formimi i qeverisë në mënyrë që të mundësohet ratifikimi i marrëveshjes me BE-në me dy të tretat e votave.

Përderisa secili shtet duhet të përmbushë kriteret e caktuara që kanë të bëjnë kryesisht me procesin e reformave, Kosova dhe Serbia kanë kushtin shtesë. Të dy vendet duhet të tregojnë qasje konstruktive në procesin e dialogut. Plani i Rritjes është pakoja më ambicioze financiare e Bashkimit Evropian në vlerë prej 6 miliard eurosh. Shpërndarja e mjeteve financiare bazohet mes tjerash në numrin e banorëve dhe bruto produktin shoqëror.

Kosova nga kjo pako pritet të merr gjithsej 880 milionë euro. Bashkë me Malin e Zi janë dy vendet që përfitojnë më së shumti për kokë banori. Mirëpo Mali i Zi po rrezikon marrjen e mjeteve financiare për shkak të mospërshtatjes së politikës së vizave me shtete e treta. Komisioni Evropian ka kërkuar nga Mali i Zi që deri në fund të shkurtit të rivendosë regjimin e vizave për Bahreinin dhe Arabinë Saudite të cilave ua kishte hequr vizat në muajin dhjetor. Në të kundërtën disa mjete financiare nga Plani i Rritjes vihet në pikëpyetje. /rtk/

Share This