
Pas vendimit të OVL të UÇK-së për bojkot, reagon Bekim Jashari
Pas vendimit nga kryesia e OVL të UÇK-së, që të mos ketë asnjë bashkëpunim me institucionet në detyrë të Qeverisë së Kosovës, në festimin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të Familjes Jashari të datës 5,6 dhe 7 mars, ka reaguar Bekim Jashari.
Sipas tij, kur erdhi dita për t’i dalë zot atdheut, bijtë dhe bijat e Kosovës iu përgjigjën kushtrimit pa hezitim, duke lënë mënjanë çdo dallim, ndërkaq thotë se, bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë.
“Sot kemi mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë. Bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë. Kosova është meritë e të gjithëve, dhe në vend të bojkotit, mirënjohja dhe nderimi për ata që na sollën lirinë duhet të na bashkojnë. Siç thoshte mixha Rifat: “Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e miliona shqiptarëve.” Asgjë nuk mund ta zbehë madhështinë e kësaj feste!”, ka shkruar Jashari.