
PZAP-ja vazhdon të gjobitë partitë për shkelje të Kodit të Mirësjelljes
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vazhduar të gjobitë subjektet politike për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 30 mijë e 500 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.
Gjashtë ankesa i ka parashtruar Partia Demokratike e Kosovës kundër VV-së dhe PZAP-ja i ka aprovuar të gjashtat. Ndërsa, njëra ankesë është bërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në fushatë.
Në një prej ankesave që LDK-ja e ka parashtruar kundër VV-së, kjo e fundit u gjobit me 3 mijë euro dhe PZAP e ka urdhëruar kandidatin e VV-së, Dimal Basha, që ta largojë nga Facebooku postimin me titull “Oferta e 9 shkurtit e përmbledhur në një foto” – një foto ku paraqitet ish-kryeministri Avdullah Hoti me presidentin serb.
Lidhja Demokratike e Kosovës është gjobitur për shkelje të Kodit të Mirësjelljes me 5 mijë euro, pas dy ankesave të LVV-së kundër saj.
Kurse, Koalicioni për Familje u gjobit me 5 mijë e 500 euro, pas ankesës së organizatës Qendra për Barazi dhe Liri dhe Dylberizmi, për shkak të gjuhës nxitëse dhe stigmatizuese ndaj komunitetit LGBTI+.
Po ashtu, është gjobitur subjekti “Srpska Demokratija” me 4 mijë e 500 euro. Ankesa është bërë nga LVV-ja.
PZAP-ja ka gjobitur edhe Listën Serbe me 4 mijë euro. Ankesa është bërë nga subjekti politik, ‘Për liri, drejtësi dhe mbijetesë’ (Za Slobodu Pravdu i Opstanak). /rtk/