Vetëvendosja gjobitet nga PZAP-i 8 000 euro
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit është gjobitur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa me 8 mijë euro për shkak të pengimit të gazetarëve gjatë fushatës zgjedhore në dy raste të ndryshme.
LV-ja është dënuar me 5 mijë e 500 euro për pengimin e gazetarëve në tubimin e saj në Malishevë, të mbajtur më 25 janar 2025.
Ankesën për këtë pengim të gazetarëve e kanë paraqitur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), bashkë me partnerët e tyre në koalicion.
Më 26 janar AAK ka parashtruar ankesë ndaj LV-së, pasi në tubimin e mbajtur në Malishevë në Palestrën e Sportit “janë penguar gazetarët në kryerjen e detyrave të tyre personale”.
“Parashtruesi i ankesës ka theksuar se gjatë këtij Pedo lloj materiali tjetër që incidenti, zyrtarë të VV-së i janë drejtuar me pyetjet “Çka keni lyp me ardh këtu?, madje gazetares i kanë thënë “Ju jeni ma zi se të Serbisë” dhe për t’ia pamundësuar prezencën e tyre në fushatë, ata i kanë kërkuar dhe leje specifike, veprim totalisht i kundërligjshëm”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e AAK-së.
LV-ja ka kërkuar nga PZAP-ja që ta hedhë poshtë ankesën, pasi në përgjigjen e tyre thuhet se “mbështetet në fakte vetëm tekstualisht”.
Pas shikimit të shkresës së lëndës, PZAP-ja ka konstatuar se LV-ja ka shkelur nenin 34, paragrafi 1.5 të Ligjit të Zgjedhjeve, ku gjatë periudhës së fushatës, ndalohet pengimi apo tentim pengimi i gazetarëve, duke e gjobitur atë me 5 mijë e 500 euro.
“Paneli, pas shikimit të shkresave të lëndës dhe video incizimit të ofruar si dëshmi ka vërtetuar se subjektit politik LVV, me datën 25.01.2025 në ora 18:00 ka mbajtur fushatën zgjedhore në qytetin e Malishevës, përkatësisht në Palestrën e Sportit, dhe gjatë mbajtjes së tubimit mbështetësit përkatësisht organizatoret e këtij subjekti në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kanë penguar gazetarët në kryerjen e detyrave të tyre profesionale, me ç’rast gjatë pengimit të tyre subjekti politik LVV ka shkelur nenin 34, paragrafi 1.5 të LZP-së i cili përcakton se: Gjatë periudhës se fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij, ndalohen nga pengimi ose tentimi për pengimin e gazetarëve për të përmbushur detyrat e tyre profesionale”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Gjoba e dytë, po për pengim të gazetarëve, në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove, erdhi pas ankesës së PDK-së për një tubim të mbajtur të LV-së në Sallën e sportit në Komunën e Klinës.
“Parashtruesi i ankesës ka theksuar se aktivisti dhe organizatori i tubimit, nga subjekti politik LVV, gjatë këtij incidenti i është drejtuar gazetarëve me fjalët “Po fluturoni prej këtuhit”, madje e kanë penguar punën e gazetarëve ne përmbushjen e detyrave të tyre profesionale gjatë gjirimit të kësaj situate nga kameramani si dhe i njëjti ia rrëmben telefonin kameramanit nga dora”, thuhet në arsyetimin e PDK-së, duke theksuar se “një ngjarje e tillë paraqet shkelje të rëndë të rregullave zgjedhore”.
Po ashtu, PDK si dëshmi ka bashkëngjitur edhe një CD nga ky tubim i mbajtur në Klinë.
Si përgjigje ndaj ankesës, ashtu si në ankesën paraprake për punën e gazetarëve, LV-ja sërish ka deklaruar se kjo ankesë mbështetet vetëm tekstualisht dhe se s’ka fakte e dëshmi bindëse.