FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane
Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka bërë pranimin e poligonit të qitjes, donacion ky i Komandës së Forcave Amerikane për Evropë, pasi ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme.
“Në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot është bërë pranimi i poligonit të qitjes në Babaj të Bokës, Komuna e Gjakovës, një donacion i vlefshëm i Komandës së Forcave Amerikane për Evropë. Ky poligon, i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë”, thuhet në njoftim.
FSK-ja thotë se, ky projekt është dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për zhvillimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Duke u bazuar në objektivat e Ministrit të Mbrojtjes dhe udhëzimeve të Komandantit të FSK-së në lokacionin e FSK-së, respektivisht në Babaj Bokës nga Rexhimenti i Xhenios Ushtarake të FSK-së është bërë dhe vazhdon të bëhet hapja e rrugëve që është pjesë e tërësisë së investimeve për poligonet të cilat do të ndërtohen gjatë këtij viti dhe në të ardhmen”, thuhet tutje aty.
Po ashtu, kanë bërë të ditur se janë kryer edhe investime tjera nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në ndërtimin e urave dhe infrastrukturës përcjellëse.
“Këto investime janë të planifikuara të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe viteve tjera. Gjithashtu për ndërtimin e këtyre poligoneve jemi mbështetur nga partnerët strategjik, konkretisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes EUCOMIT dhe Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë të cilat koordinohen nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (ODC) së Ambasadës Amerikane në Kosovë”, njofton FSK-ja.
Poligoni do të përdoret nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe forcat amerikane për zhvillimin e trajnimeve dhe aktiviteteve të tjera të qitjes, duke siguruar që personeli i FSK-së dhe partnerët e saj janë të përgatitur dhe të trajnuar për t`u përballur me sfidat e sigurisë. /rtk/