181-vjetori i lindjes së Ismail Qemalit, udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

181-vjetori i lindjes së Ismail Qemalit, udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

Më 16 janar të vitit 1844 lindi “Ati i Kombit”, Ismail Qemali.

Udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, lindi në Vlorë, në një nga familjet më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë.

Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë.

Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll. Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke por në 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar). Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me internim.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Mori pjesë në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj, që ishte për njohjen e e të drejtave të kombeve të Perandorisë, por u hodh kundër Xhonturqve, kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake.

U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjes kundërosmane të viteve 1910-1912.

Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar. Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cenimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. /atsh/

Share This