Babai i Dakut i hedh poshtë “sirenat” franceze
Ka kaluar gjysma e janarit, dhe ende nuk ka tym të bardhë.
Kjo shprehje përdoret për zgjedhjet e një Pape në Vatikan, ndërsa ne e kemi fjalën për të ardhmen e Mirlind Dakut, i cili për momentin mbetet lojtar i Rubinit.
Edhe pse mediat ruse shkruan se ka interesim nga një klub i Ligës së Parë të Francës, kjo gjë hidhet poshtë nga babai i tij, Feimi.
Lajmin e përhapi televizioni “Maç TV”, dhe atij i bëri jehonë e përditshmja më e vjetër sportive e Moskës, “Sovjetski Sport”, që theksojnë se ky klub misterioz nga Franca ka biseduar me rrethin familjar të Daku.
Sidoqoftë, babai i sulmuesit ka deklaruar se edhe pse ka pasur interesim nga disa klube franceze, askush nuk ka biseduar me të,
Feim Daku shton se djali i tij tashmë i ka dhënë fund pushimeve, duke u kthyer në Moskë, dhe se do të paraqitet që në ditën e parë të nisjes së fazës përgatitore dimërore tek ekipi i tij, Rubini.
Zërat për largim të tij nga klubi i Kazanit kanë qenë të shumtë në mediat ruse, duke folur për Spartakun e Moskës e Krasnodarin, më pak për Zenitin e Shën Peterburgut, përcjell abcnews, për klube në Itali e Gjermani, dhe së fundmi nga Franca.
Daku ishte lojtari më i mirë i Rubinit në fazën e parë me 9 gola e 4 asistë, një nga shënuesit më të mirë të Premier Ligës ruse, si dhe më i miri i kampionatit rus për vitin 2024 për kontributin për golat.