Mbyllen strukturat paralele në 10 komuna
Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në dhjetëra lokacione për mbylljen e strukturave paralele. Në këtë aksion janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se me aksion të përbashkët të kësaj ministrie me Policinë, Ministrinë e Industrisë dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal janë mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale.
Sveçla ka theksuar se sot përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.
“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë. Nga sot kapitulli i institucioneve paralele ilegale, kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës mbyllen. Në Banjë e të gjithandej në pjesët tjera të Republikës së Kosovës, objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, ka thënë Sveçla në videon e publikuar në Facebook.
E ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovës dhe 5 qarqet e tyre mbyllen përfundimisht.
“Këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai, raporton rtk.