Kalatë e Shkodrës dhe Lezhës me numër rekord vizitorësh përgjatë 2024-ës

Kalatë e Shkodrës dhe Lezhës me numër rekord vizitorësh përgjatë 2024-ës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër raportoi për një rritje mbresëlënëse të numrit të vizitorëve në sitet arkeologjike të Shkodrës dhe Lezhës.

Gjatë vitit 2024 Kalaja e Rozafës, një prej atraksioneve kryesore turistike të qytetit, u vizitua nga 157 827 vizitorë. Kjo shifër është 25,5% më e lartë, krahasuar me vizitueshmërinë gjatë vitit 2023.

Ndërsa Kalaja e Lezhës priti 7771 vizitorë gjatë vitit 2024, shifër kjo që sipas statistikave rezulton të jetë 70% më e lartë se një vit më parë.

Të dhënat e ofruara nga DRTK Shkodër tregojnë një interes të madh të vizitorëve vendas dhe të huaj për trashëgiminë kulturore të këtyre trevave. Kalaja e Rozafës dhe Kalaja e Lezhës po bëhen gjithnjë e më të njohura si destinacione turistike të rëndësishme.

Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Ajo ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar një territor të gjerë përreth dhe përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë shkallësh, duke u ngritur njëri pas tjetrit e që ndahen me porta mes tyre.

Ndërsa Kalaja e Lezhës ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu ende mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane. /atsh/

Share This