Musliu: Ministrat dhe kryeministri duhet të japin llogari për veprimet e tyre
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë dëshmuar pasi sipas saj janë të papërgjegjshëm dhe abuziv me besimin që morën nga qytetarët e Kosovës.
Në një konferencë për media, Musliu tha se tendenca kryesore e pushtetit aktual është eliminimi i kontrollit parlamentar demokratik.
Derisa foli për rastin e ndarjes së subvencioneve nga Ministria Bujqësisë, Musliu tha se anëtarja e Komisionit për Mjedis dhe Bujqësi, Fitore Pacolli e vendosi servilizmin dhe përfitimet familjare mbi ligjin dhe përgjegjësinë e saj.
“Përgjatë gjithë këtij mandati qeverisës ne e kemi ngritur vazhdimisht zërin për keqqeverisjen që u instalua nga Lëvizja Vetëvendosje. Bashkë me raportimet e mediave kemi bërë të mundur që të gjithë qytetarët e Kosovës të shohin qartë të vërtetën e keqqeverisjes dhe abuzimet me subvencione nga ana e ministrit Faton Peci. Me angazhim të vazhdueshëm kemi nxjerr në pah tendencën kryesore të pushtetit aktual që është eliminimi i kontrollit parlamentar demokratik.
Metoda e degjenerimit të këtij instrumenti demokratik, kontrollues është elementi kryesor i pushteteve diktatoriale. Deputetet e Vetëvendosjes kanë dëshmuar që janë të pa përgjegjshëm dhe tejet abuziv me besimin që e morën nga qytetarët e këtij vendi. Njëra nga këta deputetë të papërgjegjshëm dhe skajshmërisht e dëmshme për funksionim institucional është kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Fitore Pacolli. Ajo servilizmin partiak dhe përfitimet familjare i vendosi mbi ligjin dhe mbi përgjegjësinë e saj si pjesë e organit më të lartë në vend, kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Musliu.
Musliu e ka quajtur Pacollin marionetë të pushtetit, për çka kritikoi të njëjtën për mosftesë të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci dhe atë të Mjedisit, Liburn Aliu në komisionin që ajo drejton.
Sipas saj, Pacolli me këto veprime është munduar të mbajë larg vëmendjes publike abuzimet në ministri.
“Dua të theksoj se Fitore Pacolli u tregua ekstremisht e papërgjegjshme dhe abuzive për sa i përket legjislacionit në fuqi përmes të cilit sigurohet funksionimi i sistemit tonë demokratik parlamentar. Gjatë gjithë vitit 2024 asnjëherë nuk e ka ftuar na raportim ministrin Peci përkundër faktit që ka pasur propozime dhe kërkesa të vazhdueshme nga anëtarët e tjerë të komisionit.
Njëjtë ka vepruar edhe me ministrin e Mjedisit, Liburn Aliu…Fitore Pacolli është sinonim i përfaqësimit të pa përgjegjshëm dhe sinonim si abuzohet me besimin e qytetarëve. Ajo si marionetë e pushtetit e ka neglizhuar dhe përvetësuar punën e komisionit parlamentar sepse vetëm kështu ka menduar ta mbajë larg vëmendjes publike abuzimet në ministri që në realitet është i thirrur t’i mbikëqyrë dhe të kërkojë llogari”, potencoi Musliu.
Ndër të tjera, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se përveç Pacollit, as ministrat siç i quan ajo abuziv e as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk mund të jenë komod, sepse sipas saj duhet dhënë llogari para qytetarëve për çdo veprim.
“As Fitore Pacolli, as ministrat abuziv dhe as kryeministri që ka instaluar një mendësi shkatërruese nuk mund të ndjehen komod sepse që të gjithë duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve për çdo veprim dhe për çdo shpërndarje të fondeve të dedikuara për t’i subvencionuar bujqit dhe fermerët e Kosovës të cilët fitojnë me mund e djersë bukën e gojës…Kërkojmë nga organet kompetente t’i shqyrtojnë seriozisht dhe t’i hetojnë këto raste të nepotizmit, të konfliktit të interesit dhe shkeljeve ligjore”, theksoi Musliu. /KosovaPress/