Olaf Scholz humb votëbesimin
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka humbur votën e mirëbesimit në Bundestagun gjerman, duke e shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat pritet të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka humbur votën e mirëbesimit , të cilën e kërkoi vet pasi që muajin e kaluar u shpërbë koalicioni qeverisës mes Demokratëve të lirë, Socialdemokratëve dhe partisë së gjelbër gjermane. Sipas raporteve, gjatë votimit, 394 deputetë votuan kundër kancelarit, 207 e përkrahën atë përderisa 116 deputetë abstenuan nga votimi. Me këtë është hapur rruga ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme të cilat janë paraparë për 23 shkurt të vitit të ardhshëm. Kolapsi i qeverisë dhe humbja e votës së mirëbesimit nga ana e kancelarit është ngjarje e rrallë në politikën gjermane, kjo do të jetë hera e 4-t në 75 vite që zgjedhjet mbahen para kohës dhe, nga shumë diplomat kjo shihet si shenjë e jostablitetit politik në ekonominë më të madhe evropiane.
Sipas tyre, kjo ngjarje, së bashku me rënien e qeverisë franceze në fillim të muajit dhjetor janë sinjale të mungesës së lidershipit në Evropë në kohën kur kontinenti ka kërcënime të mëdha për sigurinë.
Edhe pse Bundestagu e shprehu mos-besimin ndaj tij, Scholz, i cili do të vazhdon të udhëheqë qeverinë e përkohshme deri në zgjedhjet e shkurtit, ka thënë se përsëri do të garon për postin e kancelarit dhe ka shtuar se, në rast që zgjidhet, do të bën investime të mëdha në infrastrukturën gjermane.
Por, sondazhet momentale, tregojnë se gjasat më të mëdha për fitore i ka kandidati i ardhshëm i koalicionit të Demokristianëve ( CDU) dhe Unionit Social Krishter (CSU) – Fridrich Merz, i cili, në sondazhe, ka së paku 10 pikë përparësi para Scholz.