Richard Grenell po kthehet në Ballkan, ky raportohet të jetë roli i tij
“Misionet e Posaçme” në fushëveprimin me mandat presidencial të Richard Grenell do të përfshijnë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht “pikat/vatrat e nxehta” në të.
Kështu na thonë burime të së parës dorë brenda ekipit të tranzicionit të Donald Trump, tashmë një muaj larg inaugurim të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Pas enlistimit zyrtar të Richard Grenell si “Emisar Presidencial për Misione të Posaçme” nga Donald Trump, fushëveprimi i tij i gjerë “do të përfshijë edhe Ballkanin”, merr vesh Nacionale.
Specifikisht, “dialogu për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” – kupton gazeta.
“Mandati i tij…do të përfshijë edhe Ballkanin. Grenell ekipin do ta ketë me bazë në Shtëpinë e Bardhë”, na thanë nga ekipi tranzicional i Trump.
Kujtojmë se Ballkani Perëndimor në Administratën Biden është artikuluar si “two tracks region” (rajon në dy binar) – në njërën anë tre shtetet anëtare të NATO-s dhe në anën tjetër tre shtetet tjera “të përthithura në rivalitete etnike”, siç e kishte artikuluar ish-DAS Gabriel Escobar.
Richard Grenell gjatë aktivitetit elektoral për Donald Trump e ka mbajtur lart Ballkanin – “që e dua shumë” – duke e vendosur në kontradistinksion,siç ka pretenduar ai, “injorimin që po i bëhet (nga Biden/Harris)”.
Në Michigan – që njihet prej shteteve ‘rrëshqitëse’ mes votës dy-partiake – Grenell u fliste se Ballkani “po rrëshqet drejt luftës”; thjesht dy ditë para se Trump të fitonte zgjedhjet.
Grenell e kishte rajonin e Ballkanit “për zemër”, siç e artikulonte, “(…) që po injorohet krejtësisht (…) dhe që është gati të shpërthejë në luftë”.
“Ne duhet të bëjmë punët e rënda, të takohemi me njerëzit, të dëgjojmë dhe të punojmë për paqe“.
“Diplomacia është e vështirë, por kur dëgjoni ‘Paqe Përmes Forcës’, kjo është një festim i Departamentit të Shtetit dhe diplomacisë, është fitore për paqe, e jo fitore e Pentagonit, se ata pretendojnë që fitorja e tyre është ‘Paqja përmes Forcës’, por është fitore e diplomacisë”, tha Grenell.
Këtu Grenell – interpretativisht – po ia përshkruante vetes “diplomacinë fitimtare”.
Sytë e kishte nga DASh…
Qysh në maj, New York Times, do të raportonte se Grenell thuajse me mish-e-shpirt ishte investuar që të kapte postin e Sekretarit të Shtetit.
Kjo pozitë, megjithatë, i shkoi Marco Rubio-s.
NYT në maj të këtij viti shkruante se Grenell “privatisht në disa raste” u ka kumtuar kolegëve nga ish-adminstrata Trump se “pozita e Sekretarit të Shtetit i është premtuar”.
“Nëse doni t’i shmangeni luftës, bën mirë ta keni një bir bushtre Sekretar të Shtetit”, kishte thënë vetë Grenell në një PodCast.
Por, tashmë te çështja e “shmangieve të luftërave” del të ketë mbërrirë në fund të fundit.
Donald Trump, dje zyrtarisht njoftoi se e ka emëruar për emisar presidencial për “misione të posaçme”.
Në rishpërndarje të urimeve në “X” Richard Grenell ndau një vlerësim për të – e që lexohet të jetë njëfarë paramendimi për paralelizëm sekretari shteti.
“Richard Grenell do të sigurojë që Departamenti i Shtetit po vazhdon/kryen agjendën politike të Presidentit Trump”, është urimi ndaj tij që Grenell e shpërndau.
“Të punoj në emër të popullit amerikan për Donald Trump është nder i jetës sime”, ka shkruar Grenell duke rishpërndarë komunikatën e emërimit të tij.
“Presidenti Trump është problem-zgjidhës që i mban ameirikanët të sigurt e prosperoz. Aq shumë punë kemi për të bërë. T’ia nisim punës”, ka shkruar Grenell.
Në rishpërndarjet e urimeve ndaj tij shkruhet gjithëfarë lavdesh.
“Kudo që ka konflikte për t’u neutralizuar dhe të sjellë paqe”, ishte njëra ndër postimet që shpërndau për veten.
“Njeriu i Trump-it për misione të veçanta”. /Nacionale/