Siria me kryeministër të përkohshëm, mbështetet nga rebelët

Siria me kryeministër të përkohshëm, mbështetet nga rebelët

Udhëheqësi i ri i përkohshëm i Sirisë njoftoi të martën se po merrte drejtimin e vendit si kryeministër i përkohshëm me mbështetjen e rebelëve që rrëzuan nga pushteti presidentin Bashar al-Assad tre ditë më parë.

Në një fjalim të shkurtër në televizionin shtetëror, Mohammed al-Bashir, një figurë pak e njohur në pjesën më të madhe të Sirisë, i cili më parë drejtonte një administratë në një zonë në veriperëndim të kontrolluar nga rebelët, tha se ai do të drejtojë autoritetin e përkohshëm deri më 1 mars.

“Sot mbajtëm një mbledhje të kabinetit që përfshinte një ekip nga qeveria e Shpëtimit që po punonte në Idlib dhe rrethinat e tij, dhe nga qeveria e regjimit të rrëzuar”, tha ai.

“Takimi kishte për temë transferimin e dosjeve dhe institucioneve në kujdesin e qeverisë”.

Pas tij ishin dy flamuj – flamuri jeshil, bardh e zi i valëvitur nga kundërshtarët e ish-presidentit Asad gjatë gjithë luftës civile, dhe një flamur i bardhë me mbishkrimin islamik me gërma të zeza, që është valëvitur zakonisht në Siri nga luftëtarët sunitë.

Në kryeqytetin sirian, bankat u rihapën për herë të parë që nga largimi nga pushteti i ish-presidentit Asad. Dyqanet gjithashtu po hapeshin përsëri, trafiku u rikthye nëpër rrugë, ku u rishfaqën punonjësit e pastrimit dhe ku qarkullonin më pak persona të armatosur.

Dy burime pranë rebelëve thanë se komanda e tyre i kishte urdhëruar luftëtarët të tërhiqeshin nga qytetet dhe që të vendoseshin atje policia dhe forcat e sigurisë së brendshme të lidhura me grupin kryesor rebel Hayat Tahrir al-Shams (HTS).

HTS është një ish degë e Al Kaedës që udhëhoqi revoltën kundër Asadit dhe së fundmi nuk i ka theksuar rrënjët e saj xhihadiste.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni mbështet plotësisht procesin e tranzicionit politik të Sirisë dhe dëshiron që ai të mundësojë një qeverisje gjithëpërfshirëse dhe josektare.

Zëvendës-këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jon Finer, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Uashingtoni ishte ende duke punuar për mënyrën se si do të angazhohej me grupet rebele dhe shtoi se ende nuk kishte një ndryshim formal të politikës dhe se veprimet ishin ato që kishin rëndësi. /VOA/

Share This