Lukaku: Mjaftoi një telefonatë që të kaloja te Roma, Mourinho e di mirë çfarë burri jam unë

Lukaku: Mjaftoi një telefonatë që të kaloja te Roma, Mourinho e di mirë çfarë burri jam unë

Romelo Lukaku ka folur së fundmi për kalimin e tij nga Chelsea te Roma.

Sulmuesi belg u shpreh për mediet italiane se beson te ekipi i tij i ri, ndërsa theksoi se është  shumë i lumtur për këtë lëvizje.

“Unë kam besim në këtë ekip. Ne duhet të punojmë së bashku për të bërë mirë, duhet të jemi të përulur, të mbajmë kokën ulur dhe të ecim para dhe të përmirësohemi çdo ditë për të arritur rezultate të mira. Është mënyra ime për t’i bërë gjërat, shpresoj ta ndihmoj ekipin të arrijë maksimumin. Kur ishim afër marrëveshjes mes dy klubeve, shumë njerëz rreth meje filluan të më thoshin se tifozët po më prisnin. Unë isha vërtet i fokusuar që të përgatitesha mirë për të qenë në formë dhe kur mbërrita doja shumë të jetoja momentin, isha i emocionuar, më dha një motivim të madh për të dhënë gjithçka për këtë ekip”-tha ai.

Më tej, Lukaku deklaroi se mjaftoi një telefonatë që të vendoste të kalonte te “verdhekuqtë” e Romës.

“Mjaftoi vetëm një telefonatë, pronarët më telefonuan disa ditë para marrëveshjes, biseduam rreth gjysmë ore për ambiciet e kësaj kompanie dhe më pas gjithçka eci shumë shpejt”-vijoi sulmuesi.

I pyetur ndër të tjera për trajnerin Jose Mourinho, belgu u shpreh se që fëmijë ka dashur të punojë me të.

“Që në moshën 11-vjeçare kam dashur të punoj me të. Ai më njeh mirë si burrë, e njeh familjen time, dhe unë e njoh. Së bashku mundemi bëjmë gjëra të bukura. Kemi një skuadër të mirë, duhet të punojmë dhe të përpiqemi të përmirësohemi ndeshje pas ndeshje”-mbylli fjalën e tij Lukaku.

Share This