Bislimi në Shtëpinë e Bardhë: Serbia s’është e gatshme për normalizim

Bislimi në Shtëpinë e Bardhë: Serbia s’është e gatshme për normalizim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me drejtorin për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane, ambasadorin Michael Carpenter, tha se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të raporteve me Kosovën.

Bislimi tha se tregues për këtë mosgatishmëri të Serbisë për normalizim dhe fqinjësi të mirë është sulmi i 29 nëntorit në Varragë të Zveçanit, ndaj kanalit të Ibër Lepencit.

Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe i cili është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Prishtina e bën fajtor Beogradin. Por, Serbia ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do ta hetojë këtë rast.

“Ai [Bislimi] theksoi dhe nevojën që akti i agresionit i Banjskës i shtatorit të vitit të kaluar si dhe sulmi i fundit në Ibër-Lepenc të ndëshkohen me masa konkrete, në mënyrë që të parandalohet që Serbia të përsërisë sulme të përmasave të tilla që minojnë sigurinë e vendit dhe të rajonit”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kosova po ashtu fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kundër Policisë së Kosovës. Një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Serbia mohon akuzat për përfshirje në këtë sulm, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Millan Radoiçiq.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – në aktakuzën e ngritur nga autoritetet në Kosovë për Banjskën, konsiderohet si organizatori dhe udhëheqësi i sulmit. Kosova kërkon që Serbia ta ekstradojë atë.

Share This