Kurti: Fillon normalizimi i furnizimit me ujë për qytetarët dhe fabrikat
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se ka filluar të normalizohet furnizimi me ujë, jo vetëm të fabrikave në rajonin e Mitrovicës dhe të TC “Kosova B”, por edhe të qytetarëve të Mitrovicës me rrethinë, Fushë Kosovë, Drenas e Obiliq.
Në një postim në ‘Facebook’, kryeministri Kurti ka shkruar se së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq.
“Prurjet e ujit në KEK kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë të TC “Kosova B”. Ka rifilluar furnizimi i fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës. Ka filluar furnizimi me ujë për qytetarët e komunave të Skenderajt, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq”, ka shkruar Kurti, raporton rtk.