Shpërthimi në Zubin Potok, SHBA-BE dënojnë sulmin: Përgjegjësit të vihen para drejtësisë
SHBA dhe BE kanë dënuar sulmin e ndodhur në Zubin Potok, ku një shpërthim shkaktoi dëme në kanalin ujësjellës të Ibër-Lepencit në Kosovë, që shërben për të furnizuar popullatën vendase me ujë, por edhe për energjinë elektrike.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffry Hovenier tha se do të mbështes hetim gjithëpërfshirës në mënyrë që përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Ambasadori Hovenier u shpreh se veprimet e dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
“Shtetet e Bashkuara e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e ndjekur situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës. Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor. Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbahen përgjegjës”, shkruan Hovenien në platformën X.
Edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e ka dënuar shpërthimin duke kërkuar hetim të plotë për ngjarjen.
“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Orav në platformën X.
Ky shpërthim vjen pas dy sulmeve të ndodhur më herët me granata dore në komunën e Zveçanit. Më herët kryeministri Albin Kurti akuzoi Serbinë, për nxitje të sulmit “kriminal e terrorist”.