Rama, apel emigrantëve: Investoni në Shqipëri, “Paketa e Maleve” zero taksa për 10 vjet

Rama, apel emigrantëve: Investoni në Shqipëri, “Paketa e Maleve” zero taksa për 10 vjet

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje shqiptarëve në Britaninë e Madhe të investojnë në Shqipëri në tokat dhe shtëpitë të lëna nga të parët e tyre.

Në fjalën e mbajtur në takimin me shqiptarët në Londër, Rama theksoi se “i them shqiptarëve që punojnë jashtë sot në turizëm apo ndërtim, por edhe atyre që punojnë në tokat e të tjerëve, ejani në Shqipëri, jo vetëm që të merrni të ardhura ku e ku më të mira se ato që jepeshin kur ju ikët, po ku të paguani më pak taksa”.

“Çdo shqiptari të Britanisë së Madhe që e ka lënë pas një shtëpi të vjetër apo një truall në fshat, i them sot me plot gojën: Investo tek ajo shtëpi, tek ai truall, kursimet e tua; të ardhurat që do marrësh nga ai truall, mund të vazhdosh të rrish këtu, do të jenë më shumë të larta nga pagat që do të mbeten në fund të muajit nga dy punë këtu”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “nga Britania e Madhe është kthyer në tokën e të parëve në Malësinë e Madhe Gëzim Kolaj, i cili sot mikpret në hotelin e tij në Bogë dhe restorantin tek “Buni i Bajraktarit” turistë nga e gjithë bota, dimër e verë. Pyeteni, si i del më mirë llogaria”.

“Ashtu sikundër ju kam thënë më parë, mbase keni dëgjuar, ne jemi në fazën e konsultimit publik për të lancuar “Paketën e Maleve” që do t’i japë mundësi çdokujt që e ka një truall, një shtëpi në malet e Shqipërisë, që të mund të investojë pa pasur vështirësi e mungesë të tapisë dhe letrave të tokës, me një procedurë shumë të thjeshtë e pa taksa, asnjë taksë për 10 vjet, në mënyrë që të ndërtojë ekonomi të re të shtuar për veten dhe të rrisë ekonominë e zonës nga ku vjen, duke i hapur dyert e mikpritjes, përmes një agroturizmi apo duke investuar në çfarëdolloj linje prodhimi bujqësor”, tha Rama.

Share This