Bayern deklason Augsburg, Kane kryeprotagonist

Bayern deklason Augsburg, Kane kryeprotagonist

Bayern Munich ka triumfuar bindshëm ndaj Augsburg me rezultat 3-0 në “Allianz Arena”, ku Harry Kane ka arritur të realizojë “hat-trick”, i shtati për të në Bundesligë.

Ani se gjatë pjesës së parë ekipi i Vincent Kompany ka provuar ndryshimin e rezultatit, portieri mysafir, Nediljko Labrovic, ishte heroi i  Augsburg, duke bërë disa pritje të jashtëzakonshme për të mohuar golat e Kingsley Coman dhe Jamal Musiala.

Në pjesën e dytë, Bayern ka shtuar presionin dhe momenti vendimtar ka ardhur kur gjyqtari Daniel Schlager ka akorduar penallti pas një prekje me dorë nga Mads Pedersen, ku pastaj Kane ka realizuar me saktësi.

Augsburg është përpjekur të qëndrojë në lojë, por gjithçka është bërë më e vështirë kur mbrojtësi Keven Schlotterbeck ka shkaktuar një tjetër penallti si dhe e ka marrë kartonin e dytë të verdhë. Kane ka shënuar sërish nga pika e bardhë, duke e çuar rezultatin në 2-0. Në minutën e pestë të kohës shtesë, Kane e ka kompletuar tregolëshin, duke e vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.

Me këtë fitore, Bayern Munich kryeson tabelën e Bundesligës me njëzet e nëntë pikë, duke e forcuar pozicionin e tyre si favoritë për titullin. Në anën tjetër, Augsburg mbetet në vendin e trembëdhjetë me dymbëdhjetë pikë.

Share This