Osmani me propozim për deputetët: Rriteni sot buxhetin e Ushtrisë
Komandantja supreme e FSK-së, presidentja Vjosa Osmani gjatë fjalimit vjetor para deputetëve tha se një FSK e fuqizuar,është një Kosovë e fuqishme.
“Përderisa ushtria jonë çdo ditë po furnizohet ne armatim modern, një prej investimeve më të rëndësishme të këtyre viteve të fundit dhe po forcon kapacitetet për mbrojtje të vendit nga çdo rrezik, nuk duhet të harrojmë se kapaciteti e pasuria jonë më e madhe që ka Kosova e rrjedhimisht edhe ushtria jonë, janë pikërisht njerëzit brenda saj. Prandaj mirëqenia ekonomike e sociale e ushtarakëve tanë duhet të shndërrohen në prioritet”, tha Osmani.
E para e shtetit tha se armatimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për fuqizimin e Kosovës, por sipas saj, ai ka kuptim kur prapa armës qëndron ushtaraku i motivuar dhe i mbështetur e këtu ajo pati porosi për ligjvënësit që sot do ta shqyrtojnë Buxhetin e Republikës në lexim të dytë.
“Hapin e parë mund ta bëni qysh sot. Praktika u lejon që nëpërmjet procedurës së shmangies të paraqitni amendamente edhe në seancë. Shfrytëzojeni këtë mundësi që t’i propozohet buxhetit të FSK-së t’i shtohet shuma e duhur në mënyrë që ushtarakët tanë të kenë shtesat e rrezikshmërisë,ato për jashtë orarit të punë dhe mëditjet për trajnime jashtë më shumë se një muaj. Ky do ishte një lajm i mirë për secilin që sot i shërben atdheut”, vijoi Osmani.
Presidentja shtoi se përpjekjet e Serbisë dhe përkrahësve të saj në Kremlin për ta minuar stabilitetin e brendshëm si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës sa vijnë e shtohen, por edhe përkushtimi e mobilizimi i shtetit për të parandaluar ato.
Osmani: Heroi ynë Afrim Bunjaku i tregoi Serbisë se Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë për të falur
Derisa foli për sulmin terrorist të vitit të shkuar në Bansjkë, presidentja tha se edhe 424 ditë ende nuk ka llogaridhënie nga Serbia.
“24 shtatori i vitit 2023, mëngjesi fatal në Banjskë, për shkak të aktit të agresionit të Serbisë ishte dëshmia më e qartë e kësaj. Atë mëngjes heroi ynë Afrim Bunjaku me shokë i treguan Serbisë dhe gjithë dashakeqësve se Kosova nuk ka asnjë pëllëmbë për të falur dhe se mbrojtja e shtetit tonë është betimi i përjetshëm. Ende 424 ditë më pas nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë”.
Tutje kur foli për dialogun me Serbinë, shefja e shtetit tha se ky proces ka qenë komplet i pa balancuar me një trajtim të padrejtë të Kosovës dhe një akomodim të vazhdueshëm ndaj Serbisë.
“Fakti që në tavolinën e dialogut sot shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa e viktima e këtij agresioni është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj mungese balanci. Është e domosdoshme të ketë reflektim ndaj kësaj qasje, tha presidentja”.
Foli për propozimet e saj për përmirësimin e këtij procesi për çka tha se është ballafaquar me sulme e dezinformata.
“Më duhet të theksoj me keqardhje që shpesh kam bërë propozime për përmirësimin e këtij procesi jam ballafaquar me një sërë dezinformatash e sulmesh të ulëta që nuk i kanë hije askujt në Kosovë. Për të qenë edhe më e qartë, kur unë kam propozuar që drafti i asociacionit të diskutohet me SHBA, në mënyrë që kjo çështje të mos i lihet në dorë as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në Pavarësinë e Kosovës, kjo nuk ka nënkuptuar që unë kam kërkuar themelim asociacioni.
“Ka nënkuptuar që unë më shumë i kam besuar vetvetes dhe Amerikës sesa burokratëve nga shtete jo njohëse. Kam besuar se një draft-statut ku mbrohet kushtetuta, sovraniteti, kufijtë dhe ku mbrohet funksionaliteti i shtetit shumë më mirë hartohet nga ne se sa nga ekspertë të jashtëm që nuk kanë besuar kurrë në projektin e Kosovës së pavarur”, shtoi ajo. /rtk/