Mbi gjysma e ukrainasve duan përfundimin e shpejtë të luftës me negociata
Më shumë se gjysma e ukrainasve duan një fund të negociuar të luftës me Rusinë së shpejti, sipas anketuesve të Gallup.
“Në sondazhet më të fundit të Gallup për Ukrainën, të kryera në gusht dhe tetor 2024, mesatarisht 52% e ukrainasve do të dëshironin që vendi i tyre të negocionte për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Gallup.
“Afro katër në 10 ukrainas (38%) besojnë se vendi i tyre duhet të vazhdojë të luftojë deri në fitore. Për krahasim, në vitin 2022, 73% ishin në favor të luftimeve dhe vetëm 22% ishin në favor të negociatave. Në vitin 2023, 63% ishin në favor të vazhdimit të luftës dhe 27% ishin në favor të përfundimit të shpejtë të luftës’’, theksoi ai.
Rusia i ka bërë lëshimet territoriale dhe heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO një parakusht për negociatat.
Përveç kësaj, Ukraina do të duhej t’i nënshtrohej një të ashtuquajtur denazifikimi, që në Moskë me siguri do të thotë vendosjen e një qeverie pro ruse në Kiev.
Sipas sondazhit të publikuar këtë javë, besimi në Perëndim në përgjithësi ka rënë edhe në Ukrainë.
Vetëm 40% e të anketuarve e miratojnë ende rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, ndërsa 37% janë skeptikë.
Menjëherë pas fillimit të luftës, shkalla e miratimit ishte ende 66% deri në 16% për qind.
Ndërsa një shumicë ende shpreson të anëtarësohet në BE dhe NATO, pritshmëritë për anëtarësim në BE brenda 10 viteve të ardhshme kanë rënë nga 73% në 61%, dhe nga 64% në 51% për NATO-n.
Gallup tha se intervistoi 1 000 persona me telefon. Marzhi i gabimit është 3%. /atsh/