Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë zërin për aktet e shëmtuara të arrestimit të veteranëve të UÇK-së në Maqedoni

Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë zërin për aktet e shëmtuara të arrestimit të veteranëve të UÇK-së në Maqedoni

Sot në Prishtinë takohen dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut

Duke e komentuar këtë takim, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se gjithmonë ka qenë në mbështetje të mbledhjeve të përbashkëta.

“Personalisht, e kam hedhur idenë në Qeverinë e Kosovës dhe kemi miratuar konceptin e mbledhjes së përbashkët të qeverive para 10 vitesh. Është mirë që deri më tani ka pasur mbledhje të përbashkëta, por e veçanta e kësaj mbledhjeje është kjo: Sot vjen në Kosovë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila është e përkushtuar që ta përmbysë dhe ta rikonfigurojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila është arritja më e madhe e vetë shqiptarëve në Maqedoni. Sot pres që Qeveria e Kosovës ta ngrejë çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është e shqiptarëve, jo e një partie politike, por e gjithë popullit shqiptar kudo që jeton në Ballkan”, ka shkruar Hoxhaj në “Facebook”.

Ai ka theksuar se mjerisht “kemi një Qeveri të Kosovës, e cila ka bërë çdo gjë që ta rikonfigurojë Planin e Ahtisaarit, që është themeli i pavarësisë së Kosovës, njësoj sikurse tentativat për ta zhbërë Marrëveshjen e Ohrit, që është arritja më e madhe politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.

Hoxhaj thotë se është i shqetësuar se çdo përpjekje është për ta minuar marrëveshjen e Ohrit.

“Çfarë më shqetëson mua është se çdo përpjekje për të minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin e Ahtisaarit, dhe për të rikonfiguruar realitetin politik të krijuar nga ato, është kundër interesave të shqiptarëve dhe të partnerëve perëndimorë në Ballkan! Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë sot zërin edhe për aktet e shëmtuara të arrestimit të veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut!”, ka shkruar Hoxhaj.

Share This