Presidenti Ademi shtroi darkë zyrtare për delegacionin e Lituanisë dhe delegatin e UEFA-s

Presidenti Ademi shtroi darkë zyrtare për delegacionin e Lituanisë dhe delegatin e UEFA-s

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shtruar darkë zyrtare për delegacionin e Federatës së Futbollit të Lituanisë, të kryesuar nga presidenti Edgaras Stankevicius, si dhe për delegatin e UEFA-s nga Franca, Philippe Prudhon.

Kjo darkë u mbajt në atmosferë tejet miqësore, në prag të ndeshjes së fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve, Kosovë – Lituani, që zhvillohet nesër në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, në orën 20:45.

Gjatë kësaj darke, presidenti Ademi i uroi mirëseardhje homologut të tij dhe delegacionit lituan, duke shprehur mirënjohjen e tij dhe të FFK-së për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer gjatë ndeshjes së zhvilluar muajin e kaluar në Kaunas.

Në këtë takim u diskutua për zhvillimin e futbollit në të dy vendet, sfidat dhe sukseset e arritura si anëtare të UEFA-s, duke ndarë përvoja të vyera për përmirësimin e mëtejmë të futbollit.

Presidenti Stankevicius u shpreh i impresionuar nga mikpritja në Kosovë, duke theksuar progresin e shënuar nga vendi ynë në zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe sukseset e arritura nga Kombëtarja e Kosovës si anëtarja më e re e UEFA-s.

Mbrëmja u përmbyll me shkëmbim dhuratash simbolike mes krerëve të federatave dhe me një urim të përbashkët për një ndeshje spektakolare nesër, të mbushur me respekt dhe frymën e ‘fair play’-it, si dhe për fat në shortin për kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026, që do të mbahet në muajin dhjetor.

Share This