Kurti viziton familjen e Rexhep Selimit: Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë gjykatën e padrejtë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca së bashku me deputetët e VV-së kanë vizituar familjen e Rexhep Selimit.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas VV-së, Rexhep Selimi tash e katër vjet është duke u mbajtur padrejtësisht në burgun e Hagës.
“Rexhep Selimi tash e katër vjet është duke u mbajtur padrejtësisht në burgun e Hagës. Një figurë e çmuar që i shërbeu vendit si ish-komandant i UÇK-së dhe më pas si deputet që nga hyrja jonë në institucione në vitin 2010, si anëtar i Kryesisë dhe si shef i Grupit parlamentar të Lëvizjes, Rexhep Selimi ka qenë gjithmonë simbol i vendosmërisë dhe triumfit. Sot, vizita e kryeministrit Kurti bashkë me krerë të tjerë të institucioneve dhe të Lëvizjes VETËVENDOSJE! te familja e Rexhep Selimit, bashkëshortja e tij dhe deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi, përforcoi edhe një herë bindjen tonë të pathyeshme: lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe dinjitoze. Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë gjykatën e padrejtë, gjykimin e padrejtë, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Si lëvizje, si anëtarësi e si aktivistë, jemi të patundur në mbështetjen për Rexhepin dhe shpresojmë që ai të kthehet sa më parë te ne, te vendi që aq shumë e deshi dhe për të cilin kontribuoi shumë dhe pa kursyer asgjë, thuhet më tutje në njoftimin e VV-së.