Majore Manushaqe Nura, përshëndetet me uniformën e FSK-në

Majore Manushaqe Nura, përshëndetet me uniformën e FSK-në

Majore Manushaqe Nura ka bërë të ditur se është përshëndetur përfundimisht me uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar, ajo shprehu emocionet e saj duke theksuar se po largohet me ndjenja të përziera, por me kokën lart dhe me respektin e fituar nga kolegët e saj.

“Pas thuajse gjysmë jete në shërbim, sot po përshëndetem me uniformën, FSK-në. Modestinë do ta ruaj edhe sot, por e rëndësishme është të ndaj me ju që po dal ballëhapur dhe e respektuar nga të gjithë,” tha Nura, duke e përshkruar këtë si një moment të vështirë, por të domosdoshëm.

Ajo shprehu mirënjohje të thellë ndaj shtetit të Kosovës për mundësitë e ofruara gjatë shërbimit të saj, fillimisht si pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe më vonë në FSK, ku arriti zhvillim profesional dhe u shkollua në institucione të shquara vendore dhe ndërkombëtare.

Nura gjithashtu falënderoi familjen e saj për mbështetjen e palëkundur dhe veçanërisht bashkëshortin e saj, Azdrenin, i cili, sipas saj, ka sakrifikuar shumë për t’i dhënë përparësi karrierës së saj ushtarake.

Edhe pse nuk do të ndjekë më rutinën e përditshme të shkuarjes në kazermë, ajo theksoi se FSK-ja do të mbetet gjithmonë shtëpia e saj e dytë, duke kujtuar miqtë dhe kolegët e saj të dashur.

“Brenda atyre rrethojave gjendet një brez i artë i rinisë së Kosovës, për të cilët do të jem krenare kudo që të më gjejë jeta,” përfundoi Nura, duke theksuar moton “Një për të gjithë, të gjithë për një!”.

Share This