Murati: S’ka paligjshmëri në ngritjen e pagave
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se nuk ka paligjshmëri te vendimi i ekzekutivit për rritjen e pagave.
“Dilema mund të ketë çdo kush, pash që ka mundur që të ketë edhe keqkuptime sa i përket asaj se çka është prezantuar dje. Të gjithë shërbyesit publik do të përfitojnë nga ngritja. Me ligj të buxhetit po e procedojmë ngritjen e pagave. Nuk ka të bëjë me paligjshmëri dhe me dilemat që janë ngritur”, tha ai gjatë konferencës për media pas mbledhjes së ekzekutivit ku u miratua projektligji për buxhetin 2025.
Murati se kjo ngritje është bërë duke u bazuar në tri ligje që e përcaktojnë se si bëhet ndarja buxhetore.
“Rritja u prezantua me ligjin e buxhetit, të njëjtën gjë e kemi bërë edhe vitin e kaluar dhe pra nuk ka pasur zgjedhje. Ka rastisur që tani të jenë zgjedhjet. Po të kishte qenë që buxheti të ishte përcaktuar për më herët do të ishte miratuar. Kemi tri ligje që e përcaktojnë se si bëhet kjo punë dhe në cilat data, prandaj e kemi edhe këtë vendim të qeverisë”, tha Murati.
Ai po ashtu foli edhe për borxhin publik, e që sipas tij, parashihet të jetë stabil dhe të mos ketë rritje të theksuar gjatë viteve në vijim.
Ai tutje tha se “ne kuadër të ligjit kemi shtuar edhe një dispozitë që ka të bëjë me zbatimin e normës progresive tatimore për tatimin në pronën e paluajtshme, tatim i cili mblidhet dhe u shkon komunave”. Ai shtoi se qeveria ka propozuar në kuadër të këtij ligji të bëhet edhe shtyrja e zbatimit të normës progresive tatimore për vitin 2026.
Ndërkaq për vitin 2025 Murati tha se parashihet që të ketë zbatim të dispozitës siç ka qenë në vitin aktual.
“Jemi qeveria e vetme që të gjitha ligjet për ndarjet buxhetore i ka dërguar në afate. Shpeshherë ka ndodhur që është vonuar miratimi i buxhetit”, tha ai, raporton rtk.