Çfarë tjetër po kërkon BE-ja nga Kosova për heqjen e masave ndëshkuese
Hapat shtesë që po i kërkohen Kosovës nga Bashkimi Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj saj duket se do t’i lënë në fuqi këto masa edhe më tej.
BE-ja nuk bëri të ditur se çfarë janë hapat shtesë që duhet bërë Kosova për heqjen e masave ndëshkuese por Qeveria tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat e dakordimit të Bratislavës për deeskalimin e situatës në veri dhe se një gjë e tillë do të ishte e mjaftueshme që masat të largohen.
“Ne me të drejtë kërkojmë largimin e masave dhe do të vazhdojmë të paraqesim këtë kërkesë sepse ato nuk reflektojnë as arsyet për të cilat janë vendosur e as situatën në terren. Ato kanë qenë të padrejta që nga fillimi, ndërkaq Kosova ka plotësuar dakordimin e Bratislavës për hapat që duheshin ndërmarrë për deeskalimin e situatës. Deeskalimi ka kohë që ndodhur. Kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që masat të largohen. Për më tepër që nga qershori i këtij viti ka një raport të Përfaqësuesit të Lartë BE-së, Josep Borrel në të cilin kërkohet që masat ndaj Kosovës të largohen. BE-ja sot i ka të gjitha arsyet e duhura që t’i jep fund kësaj padrejtësie ndaj vendit tonë, te i cili gjen partnerin më të mirë në rajon”.
Hapat shtesë për heqjen e masave i përmendi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të shtunën gjatë vizitës në Prishtinë e cila tha se veprimet që ka bërë Kosova lidhur me CEFTA-n kanë qenë pozitive por që nevojitën hapa të mëtejmë në mënyrë që të arrihet tek heqja e masave.
Sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, dërgimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kushtetuese është hapi i radhës që BE-ja po e kërkon nga Kosova për heqjen e masave ndëshkuese ndaj saj.
“Ajo që mund të them nga deklaratat që kemi parë këto ditë… kryeministri jo që ka mashtruar qytetarët, kuvendin por edhe BE-në sepse iu ka premtuar se ne do ta dërgojmë asociacionin në gjykatë por se ka dërguar dhe me këtë kemi fituar sanksionet me këtë kryeministër s’besoj që do hiqen masat sepse është joserioz. Mendoj që asociacioni është kryesori kryefjala dhe mos dërgimi i tij ne kushtetuese mendoj se është ajo qe po ndikon qe be sa i përket heqjes se masave. Është e padrejtë që qytetarët e Kosovës të sanksionohen e sidomos nga shtete mike……por ja qe e kemi një kryeministër kokëfortë dhe atë që e premton nuk po realizon…S’besoj që do hiqen masat edhe pse ja kanë bëre padrejtë qytetarëve por ata duhet ta ndëshkojnë kryeministrin dhe qeverisën”, tha Pal Lekaj per rtv21.
Përderisa BE-ja po kërkon hapa të mëtejshëm për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, dëmi për vendin deri më tani është rreth 300 milion euro.
Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, çdo vonesë për heqjen e masave ndëshkuese do ta thellojë dëmin ndaj Kosovës.
“Dëmi është rreth 300 milionë që kanë qene te parapara shumice prej tyre për investime kapitale. Kemi thënë që do të jetë sfidues largimi i tyre. Kosova do të dëmtohet edhe në kuptimin material dhe në kuptim të imazhit për investitorët e huaj”, tha Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës
Masat ndëshkuese BE-ja ia vendosi Kosovës në qershor të vitit të kaluar pas rritjes së tensioneve në veri të vendit ku të paktën 90 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s u lënduan në një përplasje me protestues serbë.