Nëntë ditë nga zgjedhjet: Trumpi tubim në Manhatan, Harrisi në Filadelfia
Kandidati republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, ka mbajtur një tubim në kompleksin shumë-funksional “Madison Square Garden” të Nju Jorkut, një aktivitet i rëndësishëm në një shtet që për herë të fundit ka mbështetur një president republikan në 1984.
Kurse kundërshtarja e tij, nënpresidentja Kamala Harris ndodhet në Filadelfia, qyteti më i madh i Pensilvanisë dhe një bastion i demokratëve që ata duan ta fitojnë me patjetër.
Duke folur në Kishën e Dhembshurisë së Krishterë të dielën në mëngjes, Harris nuk e përmendi Trumpin me emër por tha se: “Në këtë moment ne përballemi me një pyetje reale: Në çfarë lloj vendi duam të jetojmë?”.
Në Manhatan të Nju Jorkut, Trump do të mbështesë kandidatët lokalë për kongresin.
Trump, një personazh i famshëm i Nju Jorkut për dekada, do të përdorë aktivitetin që mbahet në vendin ikonik, të njohur për ndeshjet e basketbollit të skuadrës së “Knicks-ve” dhe koncertet e Billy Joel, për të theksuar se pse republikanët duhet të fitojnë zgjedhjet.
Sondazhet tregojnë se Trump dhe Harris janë kokë më kokë në shtetet e fushëbetejës, pak më shumë se një javë deri në ditën e zgjedhjeve, më 5 nëntor.