Sulmet ajrore të Izraelit, Netanyahu: E dëmtuam rëndë Iranin, e mbajtëm premtimin

Sulmet ajrore të Izraelit, Netanyahu: E dëmtuam rëndë Iranin, e mbajtëm premtimin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu bëri bilancin e sulmeve ajrore të vendit të tij ndaj Iranit. Ai tha se ato ia arritën qëllimit.

Netanyahu foli të dielën gjatë funeralit të një ushtari izraelit, një ditë pasi avionët luftarakë izraelitë goditën disa objektiva ushtarake në Iran, si hakmarrje për sulmin me 180 raketa balistike të Iranit ndaj Izraelit më 1 tetor.

“Në orët e para të së shtunës, ne mbajtëm premtimin tonë. Forcat Ajrore sulmuan në të gjithë Iranin. Ne dëmtuam rëndë kapacitetet mbrojtëse të Iranit dhe aftësinë e tij për të prodhuar raketa. Këto sulme vijnë pas disa muajve të fundit ku ne kemi vepruar në mënyrë sistematike për t’i prerë krahët Iranit, Hezbollahut dhe Hamasin. Dje goditëm regjimin iranian”, tha ai.

Ushtria izraelite tha se avionët e saj kishin goditur objektet që Irani përdori për të prodhuar raketat e lëshuara ndaj Izraelit, si dhe vendndodhjet e raketave tokë-ajër.

Agjencia shtetërore e lajmeve iraniane IRNA tha se katër persona u vranë nga sulmet, të gjithë ushtarë. Ushtria iraniane tha se sulmet kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, bazuar në fotografitë sateliore, sulmet izralite në Iran dëmtuan objekte në dy baza ushtarake sekrete në juglindje të kryeqytetit Iranian.

Share This