“Mbi 200%” rritje të tatimit për pronat komerciale nga viti 2025, si shihet kjo nga opozita e Asociacioni i Komunave

“Mbi 200%” rritje të tatimit për pronat komerciale nga viti 2025, si shihet kjo nga opozita e Asociacioni i Komunave

Nga viti 2025, pronarët e pronave komerciale do të përballen me fatura të dyfishuara për tatimin në pronë, pasi do të hyjë në fuqi ligji i ri për tatimin në pronat komerciale.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo rritje enorme do t’i ngarkojë pronarët e bizneseve me kosto të reja, pasi faturat do të bazohen në vlerësimin e pronës që ata posedojnë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë për “Telegraf”-in se rritja do të jetë mbi 200% për biznese.

Ai ka pohuar se nga ligji i ri për tatim në pronë preken ekonomitë familjare e bizneset. “Ajo qa është karakteristike është se tatimi në pronë është rritur 100% edhe për ekonomitë familjare, pra kemi ngritje enorme, dhe kemi një ngritje të jashtëzakonshme që ka ndodhur ndonjëherë, mbi 200% ngritje për biznese. Dy kategoritë që preken nga ky ligj, dhe veçanërisht kategoria e bizneseve është ndëshkimi që u bëhet. Pasi pronat që shfrytëzohen për biznese do të kenë vështirësi të mëdha pas rritjes së tatimeve”, tha ai.

Shala pohoi se “Ekonomia familjare dhe biznese do të jenë të goditura jo meritueshëm”.

Deputeti theksoi se tashmë kanë shterur të gjitha mundësitë për kundërshtimin e këtij ligji. “Mundësitë ne i kemi shtjerë, kemi pasur konferenca, komisione e debat me kryeministrin, por, që fatkeqësisht ky ligj është miratuar me shumicën parlamentare dhe tashmë ekziston vetëm një mundësi për ndryshimin/plotësimin e ligjit por që ajo nuk mund të ndodhë me këtë legjislaturë”, tha ai.

Ligji i ri për tatim në pronat komerciale do të jetë vështirë e përballueshme për biznese, kështu vlerëson ish-ministri i Ekonomisë, Haki Shatri (AAK).

Shatri për “Telegraf”-in ka thënë se kanë kritikuar në vazhdimësi veprimet e kësaj qeverie. “Sipas asaj që kemi diskutuar edhe më herët, dhe kemi kritikuar këto veprim të qeverisë, që lidhet me tatim, progresin në pronat komerciale, pra në rritje enorme prej vitit 2025, kur hyn në zbatim ky ligj. Bizneset, ndërmarrjet i ngarkon shumë. Sipas analizave që janë bërë nga ekspertë po ashtu edhe është mundësia e thjeshtë me u pa, që varësisht prej vlerës së pasurisë komerciale, tatimi në pronë shkon nga 0.10 deri në 0.50 %. Rritet varësisht deri në trefishë”, u shpreh ai.

Shatri theksoi se: “Kjo ngarkesë për ndërmarrjet e mëdha do të jetë e rëndë, pasi e bënë edhe një barrë më të rëndë fiskale. Këto biznese vështirë mund ta përballojnë, nëse e përballojnë e kufizon për ta zgjeruar biznesin e tyre dhe për të investuar, pra me rrit prodhimtarinë, shërbimet ose thjesht pengon zhvillimin ekonomik”.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se ky ligj për tatim në pronat e paluajtshme është bërë pa asnjë konsultim më komunat.

“Ka ndodhur ndryshimi dhe plotësimi të ligji për tatim në pronat e paluajtshme, është bërë pa asnjë konsultë me komunat e Kosovës, si hisedare kryesore sa i përket grumbullimit të tatimit në pronë, sepse tatimi në pronë mblidhet nga komunat e Kosovës. Dhe komunat në këtë aspekt kanë qenë të përjashtuara nga ky konsultim”, ka pohuar Ibrahimi për “Telegraf”-in.

Ai gjithashtu tha se tashmë edhe qytetarët kanë pranuar fatura më të shtrenjta për pronat rezidenciale. “Ne e dimi që këtë vit qytetarët për prona rezidenciale kanë pranuar fatura që kanë qenë jashtëzakonisht të shtrenjta krahasor me vitet e kaluara, mirëpo vitin e ardhshëm do të preken drejtpërdrejt pronat komerciale”, pohoi ai.

Ibrahimi shpjegoi se si do të ndodhë ndryshimi për tatim në pronat komerciale.

“Pra, bizneset që janë aktive kanë kaluar në një fazë të rivlerësimit dhe tani faturat e tatimit në pronë, në bazë të ligjit aktual, do të pranojnë fatura që besojnë do të shkojnë në disa raste deri në 200% më të shtrenjta sesa kanë pranuar këtë vit”.

Ai tutje shtoi se si “Asociacion i Kosovës me ekspertë që i kemi brenda komunave, kemi bërë një analizë ku janë bërë krahasimet e faktuarve këtë vit me vitin e ardhshëm që do t’i shkojnë pronarëve të pronave komerciale, me rritje enorme në vitet e ardhshme”.

Ai shpjegoi edhe disa raste, se si do të bëhet rritja e tatimit në pronat komerciale.

“P.sh kemi katër raste nëse vlera e pronës është 7 milionë euro me shkallën tatimore aktuale, pronari i kësaj prone ka paguar tatim 11 mijë e 900 euro, me ligjin aktual, duke u bazuar në shkallën tatimore progresive, në bazë të analizave tona, i njëjti pronari, vitin e ardhshëm, do të paguajë minimalisht 26 mijë euro. Pse po them minimalisht, sepse shkalla tatimore e cila gjendet në këtë ligj, ua lejon komunave të shkojnë nga 0.10% deri në 1%, Është rritje mbi 130%”.

Në rastin e dytë, ai tha se “nëse një pronë ka vlerën 20 milionë euro, nëse fatura i ka shkuar 34 mijë euro, me ligjin e ri, me shkallën tatimore progresive, i njëjti pronar do të paguajë minimalisht 91 mijë euro. Ngritje mbi 200%”.

“Rasti tretë: nëse vlera e pronës është 50 milionë euro, dhe me shkallën tatimore 0.17 %, vlera e faturës i ka shkuar rreth 85 mijë, me ligjin aktual e njëjta pronë, do të pranojë faturën rreth 200 mijë euro. Një rritje jashtëzakonisht e madhe”.

“Rasti i katërt: nëse vlera e pronës është rreth 120 milionë euro, nëse pronari ka paguar rreth 200 mijë euro, vitin e ardhshëm do të paguaj rreth 500 mijë”, ka shpjeguar Ibrahimi.

Ai po ashtu deklaroi se rritja e faturave në këtë nivel do të jetë jashtëzakonisht ndikim në ekonomi. “Tani mund ta merrni me mend, nëse bizneseve u ngrit fatura në këtë nivel, normal se do të këtë impakt edhe në aktivitetet tjera biznesore. Ka mundësi të ngritët qiraja, mund të shtrenjtojnë produktet, mund të vijë deri të zvogëlimi i fuqisë punëtore. Pra është një zinxhir, të cilin ne si Asociacion konsiderojmë që më këtë ligj do të preken pronat komerciale jashtëzakonisht shumë nga tatimi në pronë”, u shpreh ai.

Ibrahimi tha se kanë reaguar disa herë, dhe se kanë kërkuar nga Qeveria që ky ligj të amandamentohet sepse është bërë pa konsulta të komunave.

Ai kërkoi që të ndërmerren në konsideratë thirrjet e tyre, pasi kjo do të ketë ndikim drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomi.

Ligji hyn në fuqi me 01.01.2025.

Share This