Kryesia e PDK-së kërkon që drejtësia të veprojë pas “aferave” të qeverisë
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend.
Gjatë kësaj mbledhjeje, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se dëshmitë e publikuara që sipas tij, konfirmojnë përfshirjen e zyrtarëve të shumtë shetërorë në afera të mëdha keqpërdorimesh dhe skandale të tjera, janë alarmante dhe siç tha ai, kërkojnë adresim nga institucionet përkatëse.
“Ai tha se këto ngjarje shqetësuese jo vetëm që minojnë sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, por edhe dëmtojnë besueshmërinë në institucione dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Anëtarët e Kryesisë vlerësuan angazhimin e deputetëve të PDK-së, që me përkushtim janë përpjekur dhe kanë alarmuar me kohë opinionin publik në Kosovë për të gjitha skandalet e qeverisë aktuale duke iniciuar edhe komisione hetimore parlamentare, por të cilat në vazhdimësi janë penguar së funsionuari nga mazhoranca”.
“Në këtë mbledhje u diskutua edhe për censurën nga Radio Televizioni Publik i Kosovës, i cili pas shumë skandaleve të brendshme nga menaxhmenti dhe Bordi, të emëruar nga Lëvizja Vetëvendosje, sot ka ndaluar transmetimin e seancës parlamentare të iniciuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Më tej, bëhet e ditur se gjatë kësaj mbledhjeje, anëtarët e kryesisë theksuan se gjatë gjithë mandatit të Qeverisë Kurti, e sidomos javën e kaluar, sipas tyre, rritja e numrit të skandaleve ka ekspozuar një mentalitet të rrënjosur në korrupsion të thellë dhe shpërdorim të pushtetit nga zyrtarët shtetërorë, të gjitha, siç thanë ata, në dëm të Kosovës dhe qytetarëve.
“Afera me ambalazhuesit e ujit zbuloi se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës mbi 11 milionë euro. Publikimi i mesazheve të Dejona Mihalit me kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi, konfirmoi dy skandale të mëdha të pushtetit aktual: konfirmuan se miku i kryeministrit Kurti, ambasadori Martin Berishaj, ashtu siç ishte paralajmëruar dy vite më parë, është i përfshirë në tregtimin e energjisë elektrike. Konfirmuan edhe përzierjen direkte të Qeverisë në çdo institucion publik nëpërmjet komisares Dejona Mihali”.
“Skandali tjetër i komunikimit të Shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila me kryekriminelin serb, Milan Radoiçiq, dëshmoi po ashtu, përfshirjen direkte të pushtetit për t’i lënë veteranët e UÇK-së jashtë ligjit për pagën minimale dhe përpjekjet për kapjen e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet tutje në njoftim.
“Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që asnjë nga këto afera të mos kalojë pa adresuar, pavarësisht ritmit të shpejtë me të cilin po shfaqen. PDK i bënë thirrje institucioneve përkatëse hetimore dhe gjyqësore që urgjentisht, profesionalisht dhe në mënyrë të paanshme të trajtojnë këto raste, të cilat rikonfirmojnë qartë korrupsionin e përhapur qeveritar, keqpërdorimin e detyrave zyrtare dhe dëmtimin e interesave shtetërore të Kosovës”.
“PDK fton të gjithë qytetarët që në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ta mbajnë përgjegjëse këtë qeveri të paaftë, të dëmshme dhe abuzive. Është koha për një qeveri të re – një qeveri të besueshme, profesionale dhe të dëshmuar në kapacitetin e saj për t’u shërbyer shtetit dhe qytetarëve.
Një qeveri në krye me Bedri Hamzën, e cila jo vetëm që do të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve, por edhe do ta kthejë Kosovën në rrugën e duhur të zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik”, thuhet në njoftim.