Izraeli sulmon bunkerët ku Hezbollahu po fshihte armët strategjike
18 persona kanë vdekur në Liban si pasojë e sulmeve të Izraelit. Ndërkaq pas letrës kërcënuese të SHBA-së drejtuar Izraelit për kufizimin e ndihmës ushtarake, ky i fundit ka lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gazë.
E ministri i Jashtëm i Iranit, i ka thënë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së se vendi është i gatshëm t’u përgjigjet sulmeve të Izraelit.
Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore në Bejrut të Libanit, për herë të parë pas pesë ditësh ndërsa ka thënë se në shënjestër kishte armët strategjike të Hezbollahut të fshehura nën tokë, në zonën jugore Dahieh. Izraeli ka vazhduar sulmet edhe në zonat tjera të Libanit derisa autoritetet libaneze kanë njoftuar për 18 viktima.
Ndërkohë që po vazhdon lufta e Izraelit në Rripin e Gazës kundër Hamasit, dje, Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një letër të ashpër Izraelit ku i kanë bërë thirrje që të lejojë hyrjen e ndihmës humanitare në Gazë përndryshe do të rrezikon ndihmën ushtarake amerikane në masë të caktuar, diçka që Izraeli duket se e ka marrë seriozisht pasi kamionët e parë me ndihma tashmë kanë hyrë në veri të Gazës. Kjo është ndihma e parë humanitare që hyn në Gazë në dy javë.
Megjithatë, zyrtarët e OKB-së kanë raportuar se 28 kamionë me miell për furra buke dhe një cisternë me karburant kanë hyrë në vendkalimin kryesor verior të dielën, ndërsa të martën, 30 kamionë janë dërguar drejt vendkalimit kufitar por vetëm 12, që ishin të ngarkuar me ndihma janë lejuar ta kalojnë kufirin. Ka shpresë se ndihma tjera do të futen në Gazë sot nga veriu por edhe nga Jordania , diçka që Uashingtoni ka kërkuar nga Izraeli garanci se kjo rrugë për në Gazë për hyrjen e ndihmave do të jetë plotësisht e hapur.
Sa i përket luftës së Izraelit me Iranin, ministri iranian i punëve të jashtme Abbas Araghchi mbrëmë ka biseduar me sekretarin e përgjithshëm të OKB-s, Antonio Guterres, të cilit i ka thënë se Irani është i gatshëm të përgjigjet nëse Izraeli e sulmon Iranin. /rtk/