Super Kosova ‘shkel’ Qipron
Kombëtarja e Kosovës i ka arkëtuar pikët e plota në “Fadil Vokrri” në përballjen ndaj Qipros, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
“Dardanët” realizuan tre gola për t’i fituar tre pikë në Prishtinë, sfidë që e dominuan nga fillimi.
Qipro në fakt mund të përfitonte lehtësisht përmes disa gabimeve të vendasve në mbrojtje, por që dështuan t’i finalizonin.
Ishte Amir Rrahmani që me një driblim fantastik mes dy lojtarëve pasi mori një pasim nga Florent Muslija e zhbllokoi rezultatin, për ta kaluar Kosovën në epërsi (30’).
Ermal Krasniqi në përfundimin e kësaj pjese e fitoi një penallti, por që VAR-i e anuloi shkaku i një pozicioni jashtë loje në ndërtimin e po atij aksioni.
Kësisoj, pjesa e parë përfundoi me rezultat minimal 1:0, ndërsa Kosova vazhdoi me të njëjtin dominim edhe në 45-minutëshin e dytë.
Ishte Ermal Krasniqi që shënoi një gol të mrekullueshëm vollej pas një topi të kthyer nga goditja e Muharrem Jasharit (52’).
Kurse, vetëm katër minuta pas inkuadrimit fitoren e vulosi Emir Sahiti me një gol të bukur (71’).
Qipro shënoi në fund, por që VAR-i e anuloi shkaku i një faulli në sulm te Fidan Aliti.
Kosova fatkeqësisht qëndron në pozitën e dytë me nëntë pikë, tre më pak se Rumania e cila mposhti Lituaninë, derisa Qipro renditet në pozitën e tretë me tre pikë.
“Dardanët” rikthehen në “aksion” qysh muajin e ardhshëm, duke qenë mysafir të Rumanisë para se ta mbyllin këtë kampanjë si nikoqir të Lituanisë në “Fadil Vokrri”.