Specialja nuk jep detaje nëse Krasniqi ka bërë kërkesë për vizitë në Kosovë
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë nuk kanë dhënë informacion në rast se, Jakup Krasniqi ka bërë kërkesë për të ardhur në Kosovë me rastin e vdekjes së familjarit të tij.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka thënë për RTKlive se korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon personave të paraburgosur që t’i bëjnë kërkesa Panelit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare.
Ai ka sqaruar se Paneli do të vendosë për këto kërkesa.
“Të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të KSK-së, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të KSK-së”, ka thënë Doyle.