Gazeta austriake ‘Der Standard’: Gjermania qartazi po synon akomodinimin e Serbisë, Kosova nën presion dhe masa
Gazeta prestigjioze austriake “Der Standard” ia ka kushtuar të mërkurën një artikull, qasjes së Perëndimit, në veçanti Gjermanisë si një prej shteteve kyçe të BE-së, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë artikull të gazetës austriake i është kushtuar vëmendje sidomos qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.
“Der Standard” në këtë artikull ka theksuar se politika e jashtme e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor formulohet brenda Qeverisë gjermane nga këshilltarët e kancelarit Scholz. Këtu ka përmendur Jens Plotner, si një nga më të rëndësishmit.
Sipas gazetës austriake, qasja e Gjermanisë “synon qartazi akomodimin e Serbisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik”, ndërkohë ka shtuar se Kosova është nën presion të diplomatëve gjermanë, politikë kjo që sipas “Der Standard” “diktohet kryesisht edhe nga administrata e ShBA-së” dhe Gjermania thjesht e ndjekë atë.
Më tutje, “Der Standard” ka potencuar faktin që Kosova është nën sanksione për shkak të vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti, e ndërkohë që Serbia është bërë partneri kryesor për Gjermaninë, ndonëse “milici serbe të lidhura me regjimin në Beograd” kanë kryer sulm terrorist kundër shtetit të Kosovës, ku edhe ka mbetur i vrarë polici kosovar, Afrim Bunjaku.
“Serbia nuk u mbajt kurrë përgjegjëse për këtë”, ka shkruar “Der Standard”.
Gjithashtu medium austriak ka përmendur faktin se si Gjermania dhe Franca, kanë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme ekonomike me qeverinë serbe.
“Gjermania dhe kompanitë e saj të automobilave, si ‘Mercedes’, po mbështesin hapjen e një miniere të diskutueshme të litiumit në Serbinë perëndimore sepse duan ta përdorin këtë lëndë të parë për bateritë e makinave të tyre elektrike. Franca, nga ana tjetër, i shiti Serbisë dymbëdhjetë avionë luftarakë Rafale”, ka shkruar “Der Standard”.